Stuhia Tropikale Ragasa po lëviz drejt Veriut të Vietnamit, duke kërcënuar të përmbytë kryeqytetin Hanoi me reshje të dendura shiu, pasi u dobësua gjatë natës ndërsa sistemi kalonte përmes Jugut të Kinës.
Stuhia ndodhej pranë qytetit Beihai, duke shënuar erëra maksimale të qëndrueshme prej 75 kilometrash në orë (47 milje në orë) që nga ora 9 e mëngjesit me orën lokale, sipas një parashikimi nga Observatori i Hong Kongut.
Stuhia hyri në Gjirin e Tonkinit në orët e para të së enjtes dhe aktualisht po kalon përgjatë bregdetit kinez.
Ragasa ishte stuhia më e fuqishme në Botë për këtë vit dhe ka lënë një gjurmë shkatërrimi nga Filipinet në Tajvan dhe Hong Kong.
Tajfuni vdekjeprurës shkaktoi anulimin e mijëra fluturimeve, pezullimin e mësimeve dhe shërbimeve hekurudhore në qytete të ndryshme të jugut të Kinës, përfshirë edhe Makaon.
Kërkesat për kompensim nga sigurimet në Hong Kong mund të variojnë nga 50 milionë deri në 100 milionë dollarë, një shumë më e ulët se ajo e Super Tajfunit Mangkhut që arriti në 492 milionë dollarë në vitin 2018, sipas analistëve të Bloomberg Intelligence.
Një pjesë e madhe e këtyre kërkesave mund të lidhen me përmbytjet nga dallgët e stuhisë.
Administrata Meteorologjike e Kinës ka lëshuar paralajmërime për reshje të mëdha në pjesë të gjashtë provincave jugore, me Guangxi që pritet të pësojë reshje deri në 250 milimetra (9.8 inç) deri të premten në mëngjes.
Agjencia meteorologjike vietnameze paralajmëroi se pjesë të Veriut të vendit mund të kenë më shumë se 450 milimetra reshje deri të premten në mbrëmje, si dhe rrezik për përmbytje të rrufeshme dhe rrëshqitje dheu.
Sipas trajektores së parashikuar, Ragasa pritet të hyjë në Vietnam të enjten dhe më pas të shpërbëhet mbi tokë.
Bankierët dhe tregtarët në Hong Kong u strehuan në hotele dhe në shtëpitë e tyre të mërkurën, pasi qyteti ndaloi praktikën shumëvjeçare të mbylljes së tregjeve gjatë stuhive të forta që nga viti i kaluar.
Ragasa rrëzoi pemë në të gjithë qytetin dhe shkaktoi dëme të mëdha në infrastrukturë, përfshirë disa restorante.
Një tjetër stuhi tropikale është duke u formuar aktualisht në detet në lindje të Filipineve dhe pritet të kalojë mbi vendin dhe të hyjë në Detin e Kinës Jugore gjatë fundjavës.
Sipas parashikimeve, stuhia do të kalojë në jug të Hong Kongut, por do të forcohet në një tifon ndërsa i afrohet Vietnamit, duke sjellë reshje të dendura në të njëjtën zonë që po përmbytet aktualisht nga Ragasa.
Stuhia më pas pritet të prekë tokën si një stuhi tropikale në veri të Vietnamit qendror të hënën, sipas Qendrës së Paralajmërimeve për Tajfunet të Marinës Amerikane.