Kompanitë e sigurimeve në SHBA po përdorin dronë për të fluturuar mbi pronat e siguruara dhe për të bërë foto pa dijeninë e banorëve.
Pamjet e marra më pas analizohen nga inteligjenca artificiale dhe shpesh përdoren për të anuluar kontratat.
Një rast i tillë ndodhi në Massachusetts, ku një qytetare mori një email me një foto ajrore të shtëpisë së saj dhe një paralajmërim: nëse nuk hiqte degët e pemës që prekeshin me çatinë, do të humbiste sigurimin.
Për të mos mbetur pa mbulim dhe me hipotekën në rrezik, ajo pagoi 1,200 dollarë për t’i prerë.
Ekspertë të konsumatorëve thonë se praktika po përhapet shpejt.
“Njerëzit po braktisen nga sigurimi sepse shihen myk, tjegulla të dëmtuara apo pemë shumë afër shtëpisë,” tha Amy Bach nga organizata United Policyholders.
Ligjvënësit e Massachusetts kanë paraqitur një projektligj që u jep qytetarëve të drejtën të shohin imazhet, të dinë kur janë bërë dhe të ankohen për vendimet.
Por industria e sigurimeve mbron dronët, duke thënë se janë një mjet “më pak invaziv dhe më ekonomik” për të parandaluar dëmet dhe për të ulur kostot afatgjata.
Në SHBA një betejë mes kompanive dhe konsumatorëve sapo ka nisur, ndërsa qindra mijëra familje rrezikojnë të mbeten pa sigurim banese për shkak të gjetjeve fotografike të këtyre dronëve.