Një rast i fundit ka treguar qartë rëndësinë e sigurimit të plotë të banesës dhe pajisjeve shtëpiake.
Pas një zjarri të ndodhur në apartamentin e një kredimarrësi, dëmet ishin të mëdha: u dogjën të gjitha pajisjet shtëpiake dhe u shkatërrua një pjesë e madhe e apartamentit.
Kredia e marrë në vitin 2012 ishte fillimisht 2,100,000 Lekë, ndërsa në vitin 2025 – në vitin e 14-të të saj, kishte mbetur vetëm 240,000 Lekë për t’u shlyer.
Banka, e cila kishte kërkuar sigurimin vetëm për shumën e mbetur të kredisë, kishte mbuluar pikërisht këtë vlerë.
Kjo do të thotë që, edhe pse dëmi real arrinte në dhjetëra mijëra euro, sigurimi do të shlyente vetëm kredinë e mbetur ndaj bankës.
Ku qëndron problemi?
Bankat, për interesat e tyre, kërkojnë sigurim të pronës vetëm për pjesën e mbetur të kredisë, duke qenë se synimi i tyre është mbyllja e detyrimit në rast dëmi total.
Megjithatë, kjo nuk mbron interesin e kredimarrësit.
Nëse ndodh një fatkeqësi, qytetari rrezikon të humbasë banesën dhe pajisjet, ndërsa nga sigurimi mbulohet vetëm borxhi i bankës.
Zgjidhja: sigurimi i plotë i pronës dhe pajisjeve
Çdo kredimarrës duhet të sigurojë banesën sipas vlerës së zëvendësimit, jo vetëm sipas shumës së mbetur të kredisë.
Po ashtu, duhet të përfshihet në sigurim edhe mbulimi për pajisjet shtëpiake.
Në rastin konkret, nëse sigurimi do të ishte bërë siç duhet, qytetari do të kishte marrë:
- Minimalisht 54,000 EUR për ndërtesën, dhe
- Minimalisht 16,000 EUR për pajisjet shtëpiake
Ky rast është një kujtesë e fortë se sigurimi i plotë i pasurisë është thelbësor për të mbrojtur jo vetëm interesat e bankës, por edhe të vetë qytetarëve. Një sigurim i limituar vetëm në shlyerjen e kredisë nuk është zgjidhje e mjaftueshme – duhet të garantohet rikthimi në normalitet i familjes në rast dëmi.