Insurance Europe publikoi sot një dokument pozicioni në përgjigje të konsultimit publik të Komisionit Europian për Agjendën e Konsumatorit 2025–2030.
Dokumentin në shqip e gjeni të plotë këtu
Sigurimi është një gur themeli i sigurisë financiare për Insurance Europe, shoqatën evropiane të siguruesve.
Sigurimi, sipas tyre, ndihmon njerëzit të menaxhojnë rreziqet, të mbrojnë kursimet dhe të planifikojnë të ardhmen. Prandaj, Insurance Europe u shpreh se i mirëpret përpjekjet e Komisionit Europian për të siguruar që Agjenda e re e Konsumatorit të sjellë përfitime reale për konsumatorët.
Në përgjigjen e saj, Insurance Europe paraqiti katër rekomandimet kryesore për një Agjendë të Konsumatorit që funksionon:
- Të njihet sigurimi si një sektor strategjik: 90% e konsumatorëve të BE kanë të paktën një produkt sigurimi. Sigurimi është qendror për mirëqenie financiare, qëndrueshmëri sociale dhe stabilitet ekonomik. Agjenda e re duhet të pasqyrojë këtë rol jetik.
- Të thjeshtohet dhe përshtatet rregullimi: Kuadri aktual i BE është kompleks dhe i fragmentuar, duke e bërë të vështirë për konsumatorët të kuptojnë dhe të kenë qasje në produktet që u duhen. Rregullat duhet të jenë proporcionale, koherente dhe të dizajnuara duke marrë parasysh veçoritë unike të sigurimeve.
- Të hiqen pengesat për inovacion: Meqë siguruesit po përqafojnë digjitalizimin dhe inteligjencën artificiale, BE duhet të sigurojë që rregullat e saj të mbështesin, jo të pengojnë, inovacionin. Koherenca dhe qartësia rregullatore janë thelbësore për të shfrytëzuar plotësisht potencialin e zgjidhjeve digjitale dhe të bazuara në të dhëna për konsumatorët.
- Të bëhen zgjedhjet e informuara më të lehta: Procesi aktual i blerjes së produkteve të sigurimit shpesh është i gjatë dhe i lodhshëm, me detyrime të dyfishta informimi që më shumë e ngarkojnë sesa fuqizojnë konsumatorin. Konsumatorët meritojnë informacion më të thjeshtë, më të përshtatshëm dhe një kuadër që vërtet mbështet përvojë më të mirë, zgjedhje dhe rezultate. Rritja e edukimit financiar në të gjithë Europën është gjithashtu thelbësore për vendimmarrje të informuar dhe fuqizimin e konsumatorëve.