Të nxitur nga tre ngjarjet e rënda në vend, në të cilat tre sipërmarrje blegtorale vendase në vetëm pak javë u shkrumbuan nga flakët aksidentale, vendosëm të sjellim një artikull praktik dhe ndihmues për sipërmarrësit dhe/ose menaxhuesit e stallave blegtorale.
Uebsajti ndërkombëtar “Live to Plant”, i specializuar në ndarjen e përvojave dhe informacionit profesional për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, sjell një artikull me këshilla praktike për sigurinë nga zjarri në stallat blegtorale.
Bazuar në një parim të njohur në fushën e sigurimeve – sa më shumë të kujdeset klienti për mirëmbajtjen dhe parandalimin, aq më shumë fitohet besimi i siguruesit dhe aq më e ulët është kostoja e sigurimit për t’u paguar në formë primi – ne po e ndajmë këtë artikull për lexuesit e sigurime.online.
Zjarret në stallat blegtorale janë një rrezik i madh, pasi këto ambiente strehojnë kafshë, ushqime dhe pajisje me vlerë. Nëse nuk merren masa, pasojat mund të jenë të rënda.
Zbatimi i masave të duhura për mbrojtjen nga zjarri ndihmon jo vetëm në ruajtjen e pasurisë, por edhe në mbrojtjen e jetës së punonjësve, kafshëve dhe vetë mjedisit.
Më poshtë po sjellim masat më të rëndësishme që “Live to Plant” rekomandon për menaxhimin e sigurt të stallave.
Ndërgjegjësimi për rreziqet nga zjarri në stallat bujqësore dhe blegtorale
Stallat përballen me disa rreziqe të veçanta që mund të shkaktojnë zjarr. Më poshtë janë disa prej tyre:
-
Defektet elektrike: Kabllot e prishura ose mbingarkesa në rrjetin elektrik mund të shkaktojnë zjarr në çdo moment.
-
Materialet e lehta për t’u djegur: Kashta, barishtet dhe materialet e tjera organike që përdoren zakonisht në stalla mund të marrin flakë shumë lehtë nëse nuk ruhen siç duhet.
-
Pajisjet për ngrohje: Ngrohësit dhe llambat që nuk pastrohen dhe nuk mirëmbahen siç duhet mund të bëhen burim zjarri.
-
Lëndët kimike: Pesticidet, plehrat kimike dhe substanca të tjera të ndezshme e shtojnë rrezikun nëse nuk ruhen në vende të sigurta.
Të kuptuarit e këtyre rreziqeve është hapi i parë për të parandaluar zjarrin dhe për të mbrojtur jetën dhe investimin në stallat bujqësore dhe blegtorale.
Hartimi i një Plani për Sigurinë nga Zjarri
Çdo fermë duhet të ketë një plan të qartë dhe të shkruar që përfshin:
-
Vlerësimin e Riskut: Vlerësoni rregullisht vendin për rreziqe dhe shkruajini ato.
-
Strategjitë parandaluese: Mirëmbajtje, trajnime për punonjësit dhe ruajtje e sigurt e materialeve.
-
Plani i reagimit në kushtet e emergjencës: Përfshini rrugët e evakuimit, pikat e grumbullimit dhe mënyrën e kontaktit me shërbimet e emergjencës.
-
Stërvitje të rregullta: Me të gjithë personelin duhet ushtruar përgatitje simuluese për situata reale.
Struktura e Ndërtesës duhet të reflektojë vetëdijen e rrezikut nga zjarri
-
Materiale kundër zjarrit: Izolimet e qëndrueshme ndaj flakëve dhe çatitë metalike janë të parapëlqyera.
-
Zonat e pastra përreth stallës: Përdorimi i ndërprerjeve të zjarrit duke pastruar rregullisht bimësinë e thatë përreth.
-
Parashikimi i pikave të aksesi për zjarrfikëset: Rrugë të pastra dhe të aksesueshme për mjetet emergjente të ndërhyrjes.
Masat për sigurinë elektrike
-
Inspektime të rregullta: Nevojiten inspektime të rregullta nga profesionistë të elektricitetit për të identifikuar qarqe të rrezikshme ose kabllo të dëmtuara.
-
Instalimi i GFCI-ve: Duhen mbajtur parasysh këto instalime në zonat me ujë, si zonat për pastrim, për të shmangur qarqet e shkurtra.
-
Mbrojtja nga mbingarkimi: Me siguresa ose ndërprerës të përshtatshëm për pajisjet përkatëse.
Praktikat e ruajtjes së sigurt
-
Kashta dhe bari: Të ruhen në vende me ventilim të mirë, larg burimeve të nxehtësisë.
-
Kimikatet: Në kontejnerë të aprovuar e të sigurt, në zona të ndara dhe të shenjuara.
-
Menaxhimi i mbetjeve: Pastrimi i rregullt i mbetjeve djegëse si fletët dhe pjesët e ushqimit.
Mirëmbajtja e Pajisjeve
-
Orar i mirëmbajtjes: Për çdo paisje, si traktorë, gjeneratorë dhe ngrohës.
-
Karburantet: Duhet të ruhen në vende të sigurta, larg flakës dhe sipas rregullave lokale.
Kujdesi për Kafshët
-
Planet e evakuimit për bagëtitë: Sipas llojit të kafshës dhe të stërviten punonjësit për këtë.
-
Hapësirë e mjaftueshme: Për të shmangur panikun dhe për të lehtësuar evakuimin në raste zjarri.
Mjetet e shuarjes së zjarrit
-
Zjarrefikëse (ABC): Në çdo zonë të stallës, të aksesueshme dhe të mirëmbajtura.
-
Sistem sprinklerash: Nëse buxheti e lejon, për të ndalur flakët që në fillim.
-
Zorra uji: Të lidhura me burim uji për ndërhyrje të shpejtë.
Trajnime dhe Ndërgjegjësim
-
Trajnimi i stafit: Për përdorimin e pajisjeve, parandalimin e zjarrit dhe evakuimin.
-
Kontaktet e emergjencës: Të afishuara në vende të dukshme për çdo rast urgjence.
Përfundim
Masat e sigurisë nga zjarri nuk duhen konsideruar vetëm si kërkesa ligjore, kur ato janë të tilla.
Ato duhen trajtuar si pjesë e domosdoshme e menaxhimit të përgjegjshëm të fermës.
Duke kuptuar rreziqet dhe duke zbatuar masat e duhura, fermerët mund të krijojnë ambiente më të sigurta, të ruajnë bagëtitë dhe të mbrojnë investimin e tyre.
Këto veprime sot mund të shpëtojnë vetë ekonominë blegtorale nesër dhe të ndërtojnë një marrëdhënie të pacënueshme me siguruesin.




