“Shkodra Elektronike” fitoi edicionin e 63-të të Festivalit të Këngës me këngën “Zjerm”, e cila do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2025.
Performanca e “Shkodrës Elektronike” mori në total 143 pikë në votimin e ndarë 50% nga juria dhe 50% nga publiku. Elvana Gjata arriti të marrë vendin e dytë me këngën “Karnaval”, duke grumbulluar 135 pikë, ndërsa Alis siguroi vendin e tretë me këngën “Mjegull”, me 59 pikë.
Të parat që u numëruan ishin votat e jurisë profesioniste, të cilat përsëritën rezultatin përfundimtar me “Shkodrën Elektronike” në vend të parë, Elvana Gjata në vend të dytë dhe vendi i tretë për Alis.
Renditja u përmbys nga vota e diasporës, e cila votoi për herë të parë në këtë festival, duke i dhënë shumicën e votave Elvana Gjatës dhe në vendin e dytë renditi “Shkodrën Elektronike”. Këngëtari Alis sërish e ruajti vendin e tretë.
Ishte numërimi i mesazheve SMS nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut që i dha “Shkodrës Elektronike” përfundimisht Çmimin e Madh.
Në momentin e shpalljes së fituesve, emocionet dhe lotët e gëzimit ishin të pranishëm, ndërsa “Shkodra Elektronike” falënderoi publikun dhe jurinë për mbështetjen e madhe.