Në Shqipëri ka 26,600 bar-kafe.
Biznesi i preferuar i shqiptarëve është më i përhapur në Tiranë me mbi 8,300 pika kafenesh, ndjekur nga Vlora, Durrësi, Fieri dhe Elbasani. Lista pasohet nga Shkodra, Korça, Lezha, Berati, Gjirokastra, Dibra e Kukësi.
“Të gjithë e dimë që Shqipëria ka numrin më të lartë të bar-kafeneve dhe restoranteve. Ka një raport të fundit ku thuhet se pas pandemisë në botë pati një tkurrje të numrit të bareve dhe kafeneve, ndërsa në Shqipëri u rritën”, tha Shpëtim Agolli, ekspert për ekonominë.
Shqipëria thyen rekorde edhe në drejtim të shpenzimeve në bare dhe lokale.
Mesatarisht në një vit një shqiptar shpenzon 270 euro, niveli më i lartë në Rajon, Europë dhe më gjerë.
“Shqiptarët rezultojnë që e pëlqejnë të shpenzojnë kohë në kafe më shumë se pjesa më e madhe e vendeve europiane, teksa në vend të tretë renditet Kosova, me 11.2% të subjekteve që e ofrojnë shërbimin ushqimor dhe të pijeve.
Më pak renditen shtete që e kanë të lidhur ekonominë me aktivitetin e turizmit, si Mali i Zi (11%), Qipro (10.8%), Spanja (10.6%), Greqia (10%)”.
Kafenetë dhe restorantet përbëjnë 16% të ndërmarrjeve në ekonomi, punësojnë rreth 50 mijë individë. Rreth 64% e atyre që punojnë në bare e restorante janë meshkuj.
Sektori është ndër më të rëndësishmit për punësimin, duke u krahasuar me industrinë e tekstileve e këpucëve, që ka gjithsej rreth 55 mijë të punësuar.