Duke nisur nga sot, çdo automjet që kalon në autostradën Thumanë-Kashar duhet të paguajë tarifën e kalimit.
Kompania koncesionare që ka ndërtuar dhe mirëmban të vetmin aks rrugor të kategorisë “A”, njoftoi pak ditë më parë nisjen e aplikimit të tarifës, pas 6 muajsh kalim pa pagesë.
Sa do të paguhet?
Referuar dokumentit për kalimin në këtë rrugë do të aplikohen 4 nivele tarifash, në varësi të llojit të automjetetit, e rrumbullakosur në një shifër pa presje dhjetore. Pagesa mund të bëhet në monedhën euro ose lekë.
Tarifa në lekë do të jetë shuma e llogaritur me kursin zyrtar të këmbit të Bankës së Shqipërisë në datën e fillimit të operimit.
Sipas kontratës, shoqëria koncesionare do të zbatojë tarifën 2.1 euro, pa TVSH për automjet ose 2.5 euro, me TVSH, e përshtatur sipas rastit në varësi të klasifikimit të automjetit.
Klasifikimi i parë përfshin triçiklat, për të cilët do aplikohet koeficienti 0.7. Kjo do të thotë se tarifa për këtë kategori mjetesh shkon në 1.8 euro, me TVSH.
Kategoria e dytë janë autoveturat për të cilat do aplikohet tarifa bazë prej 2.5 euro, me TVSH.
Në kategorinë e tretë përfshihen kamionët, autobusët dhe automjetet të tjera me më pak se 4 akse për të cilët aplikohet koeficienti 2.5. Kjo do të thotë se tarifa për këtë kategori mjetesh shkon në 6.3 euro, me TVSH.
Ndërkohë që, kategoria e fundit përfshin kamionët apo automjetet e tjerë me 4 ose më shumë akse, për të cilët parashikohet koeficienti 3.5, duke arritur në një tarifë prej 8.8 euro, me TVSH.
Tarifat për kalimin në segmentin Thumanë – Kashar, sipas kategorisë së automjetit:
1. Triçikël me cilindrat më të madh se 250 cc
Koeficienti 0.7
0.7 x 2.5 = 1.75 euro (e rrumbullakosur në 1.8 euro)
2. Automjete të lehta (me ose pa rimorkio dhe lartësi deri në 2.20 m)
Koeficienti 1
1 x 2.5 = 2.5 euro
3. Kamionë, autobusë dhe automjete të tjera me më pak se 4 akse (automjete me ose pa rimorkio me dy ose tre akse dhe lartësi mbi 2.20 m)
Koeficienti 2.5
2.5 x 2.5 = 6.25 euro (e rrumbullakosur në 6.3 euro)
4. Kamionë dhe automjete të tjera me 4 ose më shumë akse (automjete me ose pa rimorkio dhe me katër ose më shumë akse dhe lartësi mbi 2.20 m)
Koeficienti 3.5
3.5 x 2.5 = 8.75 euro (e rrumbullakosur në 8.8 euro)
Autostrada Thumanë-Kashar është segmenti i parë i ndërtuar dhe i hapur për qarkullim prej 30 qershorit, nga pesë të tillë që përbëjnë “Korridorin Blu”.