Interesat për depozitat me afat qëndruan në nivele të ulëta në tremujorin e parë të këtij viti.
Sipas “Monitor“, referuar të dhënave nga Banka e Shqipërisë, interesi mesatar për depozitat e reja me afat në lekë rezultoi 1.9% në tremujorin e parë të vitit 2024, duke ruajtur nivelin mesatar të regjistruar në tremujorin e mëparshëm.
Interesi i depozitave me afat deri në një vit ka vijuar rritjen graduale, ndërkohë që në këtë tremujor vërehet për herë të parë, që pas fillimit të ciklit normalizues të politikës monetare, rënie e normës së interesit të depozitave me afat maturimi më të lartë.
Në rastin e lekut, ndryshimi i pritjeve për ecurinë e normës bazë të interesit ka ndikuar në ruajtjen e niveleve të qëndrueshme, si normat e interesit të depozitave, ashtu edhe të bonove të thesarit.
Norma bazë në Shqipëri është në nivelin 3.25%, një ndër më të ulëtit në Europë.
Rënia e ndjeshme e inflacionit gjatë katër muajve të parë të këtij viti ka bërë që pritshmëritë për një rritje të mëtejshme të normave të bien.
Interesi mesatar për depozitat e reja me afat në euro mbeti gjithashtu i pandryshuar në këtë tremujor në 1.1%.
Edhe tek depozitat në euro vërehen sinjale për rënie të normës së depozitave me afate të gjata maturimi, duke reflektuar pritjet e tregut për mosrritje të normave bazë apo edhe rënie të tyre në të ardhmen.
Nga ana tjetër, normat e ulëta të interesit në euro lidhen edhe me politikat rregullatore të Bankës së Shqipërisë. Banka qendrore nuk u paguan bankave remunerim për rezervën e detyruar në këtë monedhë, përveçse kërkon një nivel më të lartë të kësaj rezerve, krahasuar me lekun.
Kjo rrit kostot e ndërmjetësimit në euro për sektorin bankar dhe ndikon direkt në mbajtjen e normave më të ulëta të interesit për depozitat.
Diferenca mes interesit të depozitave në lekë dhe atyre në euro ka mbetur e qëndrueshme pranë niveleve mesatare të vitit të kaluar, prej 0.7 pikë përqindje.
Pavarësisht normave relativisht të ulëta të interesit, depozitat bankare po vazhdojnë rritjen. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të tremujorit të parë 2024 totali i depozitave bankare arriti në afërsisht 1.6 trilionë lekë.
Depozitat janë rritur me rreth 3.3 miliardë lekë gjatë tremujorit të parë dhe me 51 miliardë lekë (rreth 5.1%) krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Statistikisht, megjithatë, rritja është ndikuar negativisht nga forcimi i ndjeshëm i lekut në kursin e këmbimit me euron. Në fund të tremujorit të parë, rënia vjetore e kursit të këmbimit eur-lek ishte më shumë se 9%.
Depozitat në euro vazhdojnë të rriten me ritme ndjeshëm më të larta se ato në lekë. Në fund të muajit mars, depozitat në monedhën europiane arritën në 7.38 miliardë euro, me një rritje vjetore prej 11.7%. Megjithatë, rritja e depozitave në euro është ngadalësuar gjatë tremujorit të parë të këtij viti. Deri në fund të vitit të kaluar, rritja vjetore kishte qenë 14.4%.
LEXO EDHE: Pse një fond pensioni privat? Sa i sigurtë është ai?