Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare (AMF) publikon raportin mbi ecurinë e tregut të sigurimeve në Shqipëri për 3-mujorin e parë të vitit.
Sipas raportit, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar – mars 2024 kapën vlerën 5,227 milionë lekë, ose 1.68% më shumë se në janar – mars 2023.
Gjatë periudhës janar – mars 2024, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 310,847 me një rritje prej 8.96% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 90.99% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 8.93% dhe risigurimi me 0.076%.
Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 42.30% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 57.70% të totalit të tregut.
Gjatë 3-mujorit të parë 2024, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 1,996 milionë lekë, ose 23.88% më shumë se në 3-mujorin e parë 2023.
Dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për periudhën janar – mars 2024 kapën vlerën 1,358 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 17.57% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë janar-mars 2024 arritën rreth 2,211 milionë lekë, 7.66% më pak se në periudhën janar-mars 2023. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u ul me 1.31 % krahasuar me periudhën janar – mars 2023.
Primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë muajit janar – mars 2024, patën një ulje me 11.99% kundrejt janar-mars 2023.
Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë muajit janar – mars 2024 siguruan mbi 900 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 67.18%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 24.33% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë janar – mars 2024, vihet re një ulje prej 26.95% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 3.51% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar – mars 2023.
Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë janar – mars 2024, arritën në rreth 385 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 15.76% në krahasim me periudhën janar – mars 2023.
Primet nga sigurimet e Jetës gjatë janar – mars 2024, arritën rreth 467 milionë lekë, ose 12.28% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.