4.5 C
Tirana
Sunday, November 24, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetBiznesi i medias arrin rekordin e 72 milionë eurove, ja televizionet që...

Biznesi i medias arrin rekordin e 72 milionë eurove, ja televizionet që dominojnë

Mes konkurrencës nga interneti e rrjetet sociale e tkurrjes së buxheteve të reklamave si rrjedhojë e ngadalësimit ekonomik, biznesi i mediave po arrin të rritet vit pas viti.

Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se “Aktiviteti i publikimeve dhe prodhimeve të programeve” arriti në vitin 2022 në 7.6 miliardë lekë, ose rreth 72 milionë euro. Ky është niveli më i lartë i të ardhurave që është regjistruar ndonjëherë nga mediat në vend. Në krahasim me një vit më parë, qarkullimi vjetor i këtij segmenti është rritur me rreth 12%.

Burimi kryesor i të ardhurave të këtij segmenti janë shpenzimet për reklama që kryejnë bizneset e ndryshme.

Aktiviteti i publikimeve dhe prodhimeve të programeve punësoi gati 2500 persona në 2022, me një rritje minimale prej 4.5%, sipas INSTAT.

Tregun e dominojnë televizionet

Të dhëna të tjera të përpunuara nga Monitor nga të ardhurat e deklaruara nga mediat kryesore në vend tregojnë se tregun e dominojnë televizionet e mëdha. Për 10 televizionet që kanë raportuar të dhënat, totali i të ardhurave në 2022 ishte 5.6 miliardë lekë (rreth 52 milionë euro), me një tkurrje prej 4.6% me bazë vjetore.

Televizionet gjenerojnë në këtë mënyrë rreth 72% të të ardhurave të aktivitetit të publikimeve dhe prodhimeve të programeve. Pjesa tjetër shkon për median e shkruar, atë online, radion.

Në segmentin e televizioneve, Klan dhe Top Channel vijojnë të dominojnë, me mbi 60% të totalit të qarkullimit dhe janë të vetmit që raportojnë nivele xhirosh nga 12-18 milionë euro. Për operatorët e tjerë kufiri maksimal është rreth 4 milionë euro.

“TV Klan” ka vijuar të jetë operatori më i madh televiziv në vend, sipas të ardhurave, duke raportuar një qarkullim vjetor prej gati 2.1 miliardë lekësh në 2022-n, me një rritje të lehtë prej 1.4% në krahasim me vitin e mëparshëm, sipas të dhënave zyrtare të bilancit.

“Top Channel” ka mbajtur sërish vendin e dytë, me të ardhura totale prej 1.44 miliardë lekësh. Në krahasim me një vit më parë, ky televizion ka shënuar një tkurrje të të ardhurave me 9%.

“Vizion Plus” është ringjitur në vendin e tretë, pasi në 2021 zbriti në të katërtin. Të ardhurat e tij ishin 436 milionë lekë, me një zgjerim prej 20.4%, duke pasur ecurinë më të mirë në këtë segment.

“TV A 2” zbriti në vendin e katërt nga i treti që ishte një vit më parë. Të ardhurat u rritën me 6% në 414 milionë lekë.

“News 24” ka raportuar rënie të të ardhurave me 12.9%, në 347 milionë lekë.

“ABC News” shënoi tkurrje me 14.5% të qarkullimit vjetor, duke zbritur në 346.7 milionë.

“Euronews”, deklaroi të ardhura prej 216 milionë lekësh (-24%).

“Syri TV” ishte televizioni i vetëm informativ që deklaroi rritje të të ardhurave me 15% në 145 milionë lekë, por rezulton me humbje.

Shtohen 10 portale çdo tre muaj

INSTAT raporton se në 2022, në krahasim me vitin 2011, numri i ndërmarrjeve në Aktivitete të publikimeve dhe prodhimeve të programeve është dhjetëfishuar duke arritur në 552.

Rritja ishte e shpejtë që pas vitit 2011, si rrjedhojë e zgjerimit të medias online. Hapja e një portali ishte e lehtë, pasi kërkonte investime minimale.

Numri i tyre është rritur me shpejtësi dhe dy vitet e fundit.

Aleksandër Çipa, kreu i Shoqatës së gazetarëve tha për Monitor se aktualisht numri i portaleve në vend ka arritur në 748.

Çdo tre muaj hapen minimalisht 10 të reja”, pohon ai.

Një pjesë e tyre janë regjistruar si OJF, të tjera si biznes në media, por ka dhe të paregjistruara.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat