14.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetRritja e referencës së ndërtesës; Nga gushti, te faturat e ujit familjarët...

Rritja e referencës së ndërtesës; Nga gushti, te faturat e ujit familjarët në Tiranë po paguajnë deri 76% më shumë

Prej muajit gusht e në vazhdim detyrimet e familjeve në Tiranë për taksën e ndërtesës janë shtrenjtuar deri 76% krahasuar me korrikun 2023.

Rritja e detyrimeve erdhi pas hyrjes në fuqi në fund të muajit Korrik të vendimit të Ministrisë së Financave për shtrenjtimin e çmimeve të referencës së apartamenteve.

Taksa e ndërtesës nga familjarët paguhet nëpërmjet faturave të ujit të pijshëm.

Për një familje në zonën e Freskut, detyrimi mujor për taksën e ndërtesës është rritur 41% (sipas krahasimit të faturës së ujit të paguar për muajin korrik dhe gusht 2023). Në faturën e ujit të kësaj familje vlera e taksës së ndërtesës për muajin korrik ishte 140 lekë në muaj.

Me ndryshimin e çmimeve fiskale detyrimi për taksën e ndërtesës nga muaji gusht e në vazhdim është 198 lekë në muaj.

Detyrimi vjetor që do të paguajë kjo familje për taksën e ndërtesës do të jetë në vlerën e 2,376 lekëve nga 1,680 lekë që paguante më parë (rritja 41%).

Çmimi fiskal në zonën e Dajtit (fatura referuese e familjes në zonën e Freskut përfshihet në zonë kadastrale të Dajtit) me vendimin e mëparshëm ishte 53,500 lekë për metër katror. Nga korriku i këtij viti me vendimin e ri çmimi është 75,500 lekë. Në vlerë çmimi i referencës u rrit 22,000 lekë për metër katror apo 41%.

Referencat u rritën deri në 76%

Ndryshimet e vendimit të 2018-s të botuara në fund të muajit korrik 2023 që hynë në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare rritën çmimet fiskale të apartamenteve për 32 zonat kadastrale të Tiranës nga 5 deri 76%.

Ndërsa për 5 njësitë administrative, si: Dajt, Farkë, Kashar, Petrelë dhe Pezë çmimet fiskale u shtuan nga 29 deri 60% më shumë se 2018. Për 67 bashkitë e tjera të vendit çmimet e referencës së apartamenteve mbetën të pandryshuara.

Rritja e çmimeve fiskale solli automatikisht rritje të pagesës vjetore të taksës së apartamenteve në të njëjtën vlerë, pasi taksa e ndërtesës llogaritet mbi vlerën e shtëpisë apo të dyqanit. Për të dyja kategoritë pushteti vendor e llogarit vlerën e ndërtesës (si për banim dhe për aktivitet tregtar) sipas çmimeve të referencës.

Për shtëpitë e banimit niveli i taksës është 0,05% e vlerës, ndërsa për njësitë tregtare 0,2%.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat