Disa banesa u dogjën këtë të martë nga zjarri që u riaktivizua në fshatin Kraps të Fierit, teksa gjatë ditës nga 3 vatra të tjera në zona të ndryshme në këtë qytet u dogjën sipërfaqe të mëdha me pisha dhe ullinj.
Zjarri u ndihmua nga era, e cila bëri që flakët të dilnin jashtë kontrollit.
Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se për vënien në kontroll të flakëve u angazhian Forcat e Armatosura dhe helikopteri Cougar.
Vatrat e zjarrit në Peshtan, Qafa e Shkozës dhe fshatin Kreshpan në njësinë administrative Cakran, të Bashkisë Fier u vunë nën kontroll gjatë mbrëmjes.
Sipas ministrisë, vatra aktive ku po punohet për shuarjen e zjarreve janë në Shushicë të Elbasanit, fshatin Kus pranë Liqenit të Thatë dhe në fshatin Buz të Bashkisë Memaliaj, ku era ka vështirësuar punën.