Gara për rritjen e popullsisë mes Pekinit dhe Delhit pritet të ndryshojë në muajin prill. Sipas Kombeve të Bashkuara pas dy muajsh India do të shënojë rreth 1 miliardë e 420 milionë banorë, duke u bërë shteti më i populluar në botë me një shtesë prej 210 milionë personash brenda 12 vitesh.
Gjithësesi vetëm vitin e ardhshëm do të mundet që të përcaktohet numri real i popullsisë, periudhë kur do të realizohet edhe censusi i radhës.
Një zyrtar i lartë në Ministrinë e Statistikave dhe Zbatimit të Programit në Indi ka deklaruar se të dhënat e fundit për popullësinë janë të vitit 2011.
Regjistrimi kryhet nga rreth 330,000 mësues të shkollave, të cilët fillimisht shkojnë derë më derë duke renditur të gjitha shtëpitë në të gjithë vendin dhe më pas kthehen tek ata me një listë të dytë pyetjesh.
Sondazhi realizohet në 16 gjuhë e vijon për 11 muaj me radhë.
Deri në mesin e vitit të shkuar ishte Kina që kryesonte me numrin e popullsisë me 1 miliard e 412 milionë banorë me 4 milionë më shumë se India. Por së fundi ka shënuar një rënie të shtesës natyrore. Pikërisht për këtë shkak ekspertët kanë realizuar edhe parashikimin sa i përket dendësisë në të dy shtetet.