17.5 C
Tirana
Wednesday, November 27, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetCilat janë vendet me moshat më të ulëta dhe më të larta...

Cilat janë vendet me moshat më të ulëta dhe më të larta të daljes në pension në Europë?

Qeveria franceze bëri publike reformën e saj të pensioneve ditën e martën, duke rritur moshën e daljes në pension nga 62 në 64 vjeç deri në vitin 2030.

Kryeministrja Elisabeth Borne detajoi planet e saj për t’i bërë francezët që të punojnë më gjatë, duke çuar gjithashtu edhe periudhën e kontributeve të nevojshme për marrjen e një pensioni të plotë në 43 vite.

Ky rregull do të hyjë në fuqi në vitin 2027, ndërsa mosha e daljes në pension do të rritet me gjashtë muaj çdo vit, duke filluar nga shtatori, për të arritur moshën 64 vjeç deri në fund të dekadës.

Kritika të forta ndaj kësaj reforme kanë ardhur nga protestat si nga e djathta ekstreme, ashtu edhe nga e majta ekstreme, nga sindikatat dhe qytetarët e shqetësuar, të cilët druhen se ky ndryshim i planifikuar do të ketë pasoja më të rënda për personat më pak të privilegjuar.

Por, rritja e moshës së daljes në pension nuk është një trend që po vihet re vetëm në Francë. Mosha standarde e daljes në pension do të rritet në shumicën e vendeve të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

LEXO EDHE: Skema e pensioneve në Shqipëri, problematikat dhe zgjidhjet që kërkon koha

Cilat janë vendet me moshat më të ulëta dhe më të larta të daljes në pension në Europë? Sa është numri mesatar i viteve që një person përfiton nga pensioni në Europë? Dhe në çfarë moshe dalin europianët nga tregu i punës?

Cilat janë moshat aktuale të pensionit të parakohshëm dhe atij normal në Europë?

Përkufizimi i moshës normale për daljen në pension ndryshon në vendet e Europës. Ekzistojnë praktika të ndryshme në çdo vend, në varësi të llojit të pensionit, sipas të dhënave nga OECD dhe raportit “Pensions at a Glance”.

Këto dy raporte përdorin shifrat e vitit 2020 – të dhënat më të fundit të disponueshme që analizojnë moshat aktuale dhe të ardhshme të pensionit për të gjithë ata që bëhen pjesë e fuqisë punëtore në moshën 22-vjeçare.

Në disa raste, raporti nuk specifikon gjinitë për secilin vend, që do të thotë se mosha e daljes në pension për burrat dhe gratë mund të jetë e njëjtë për këto vende.

Moshat aktuale të daljes në pension përfshijnë dy kategori: mosha e parakohshme dhe ajo standarde. Sipas raportit të OECD-së, moshat e pensionit të parakohshëm për burrat variojnë nga 59 vjeç në Lituani, në 63.7 vjeç në Gjermani. Për gratë, ato variojnë nga 58 vjeç në Lituani, në 63.7 vjeç në Gjermani.

Në Francë, mosha aktuale e daljes në pension të parakohshëm është 62 vjeç për burrat dhe gratë. Në fakt, mosha 62-vjeçare është ajo e daljes në pension të parakohshëm në pothuajse gjysmën e vendeve, duke përfshirë Suedinë, Portugalinë, Norvegjinë, Italinë, Greqinë dhe Austrinë.

Moshat reale të daljes në pension variojnë më shumë krahasuar me moshat e pensionit të parakohshëm dhe reflektojnë më mirë moshën e pensionit të detyrueshëm. Për burrat, mosha varion nga 52 vjeç në Turqi, në 67 vjeç në Norvegji dhe Islandë.

Për gratë, mosha në Turqi është 49 vjeç, ndërsa Norvegjia dhe Islanda kanë moshat më të larta të daljes në pension, 67 vjeç.

A ka Franca një moshë pensioni më të lartë se BE-ja?

Mesatarja e BE-së është 64.3 vjeç për burrat dhe 63.5 vjeç për gratë.

Në Francë, mosha aktuale e daljes në pension është 64.5 vjeç, si për burrat, ashtu edhe për gratë, sipas të dhënave të OECD.

Kjo do të thotë se Franca ka një moshë pensioni vetëm pak më të lartë se mesatarja e BE-së. Ajo gjithsesi mbetet më e ulët se në disa vende të tjera anëtare të bllokut, si për shembull Gjermania, ku kjo shifër shkon në 65.7 vjeç për burrat dhe për gratë.

Duke mos llogaritur Turqinë, mosha minimale e daljes në pension në të gjithë Europën është 62 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë.

Mosha aktuale e daljes në pension është 65 vjeç ose më e lartë në shumicën e vendeve europiane ku janë të disponueshme të dhënat e OECD.

Nga vendet anëtare të BE-së, Greqia, Italia, Luksemburgu dhe Sllovenia kanë moshën më të ulët aktuale të daljes në pension, me 62 vjeç për burrat dhe për gratë.

A janë rritur ndjeshëm vitet e pritshme në pension?

Vitet e pritshme në pension janë jetëgjatësia që matet në moshën e daljes efektive nga tregu i punës. Kjo shifër është rritur ndjeshëm me kalimin e kohës.

Në vitin 1970, burrat në vendet e OECD-së kishin mesatarisht 12.0 vite jetë pas daljes së tyre nga tregu i punës, ndërsa në vitin 2020, ata mund të presin që të kalojnë plot 19.5 vite në pension.

Jetëgjatësia e grave në momentin e daljes nga tregu i punës ishte shumë më e lartë në fillim, në shifrën 16.0 vite për vendet e OECD në vitin 1970.

Kjo shifër u rrit në 23.8 vite në vitin 2020, ndërsa hendeku midis burrave dhe grave gjithashtu është zmadhuar.

Gratë pritet të jetojnë katër vite më shumë se burrat pas daljes në pension

Hendeku midis grave dhe burrave për sa i përket jetëgjatësisë pas daljes në pension varion nga 2.0 vite në Irlandë, në 7.5 vite në Qipro.

Deri në vitin 2020, gratë europiane zakonisht kishin një jetëgjatësi 4.3 vite më të lartë se burrat pas daljes së tyre nga tregu i punës.

Megjithëse mesatarja e BE-së është 4.6 vite, në Francë, hendeku gjinor është në favor të grave me një shifër prej 3.6 vitesh.

Nga ana tjetër, jetëgjatësia në pension për të dyja gjinitë varion shumë nëpër vendet e ndrushme të Europës. Për meshkujt, ajo varion nga 14 vite në Letoni, deri në 24 vite në Luksemburg.

Për gratë, shifra varion nga 18.9 vite në Letoni, në 28.4 vite në Greqi. Gratë pritet të jetojnë 26 vite ose edhe më shumë gjatë pensionit të tyre në Belgjikë, Francë, Greqi, Itali, Luksemburg dhe Spanjë.

Cilat do të jenë moshat e ardhshme të daljes në pension deri në vitin 2060?

OECD vlerëson se mosha normale e daljes në pension do të rritet mesatarisht me rreth dy vite deri në mesin e viteve 2060.

Danimarka parashikohet të ketë moshën më të lartë të daljes në pension, 74 vjeç, si për burrat, ashtu edhe për gratë. Në shumë vende, mosha aktuale e daljes në pension në të ardhmen mund të jetë rreth 65 apo edhe 66 vjeç.

Në BE, mosha e daljes në pension pritet të jetë 66.1 vjeç për burrat dhe 65.9 vjeç për gratë deri në vitin 2060. Në Francë, mosha e daljes në pension parashikohet të arrijë në 66 vjeç për burrat dhe për gratë në të njëjtën periudhë.

LEXO EDHE: Nga lehtësitë tatimore tek gjithçka e trashëgueshme/ Avantazhet e anëtarësimit në një Fond Pensioni Privat

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat