Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i kërkojnë udhëtarëve nga Kina të paraqesin një test negativ për koronavirusin, përpara se të lejohen të hyjnë në vend.
Ky vendim vjen pasi Kina pa një rritje të madhe të infektimeve të reja me virus, menjëherë pasi lehtësoi masat anti-Covid.
Pasagjerët që udhëtojnë në SHBA, nga Kina do të duhet të paraqesin një test negativ i kryer në jo më tepër se dy ditët e fundit, thanë zyrtarët amerikanë të shëndetësisë. Testi mund të jetë PCR apo antigen, i kryer nga persona të autorizuar.
Autoritetet amerikane kanë shfaqur shqetësim të madh për mungesën e transparencës nga Kina, pas shpërthimit të infektimeve të reja, kryesisht për mungesën e kryerjes së sekuencimit të gjenomit, një analizë që do të mund të ndihmonte në zbulimin e varianteve të reja të virusit.
Të njëjtat masa ndaj pasagjerëve nga Kina morën më herët Japonia dhe India.