15.5 C
Tirana
Friday, March 1, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitet1 Dhjetori, Dita Botërore kundër HIV-AIDS/ Shenjat, transmetimi, diagnostikimi dhe parandalimi

1 Dhjetori, Dita Botërore kundër HIV-AIDS/ Shenjat, transmetimi, diagnostikimi dhe parandalimi

1 dhjetori është Dita Botërore kundër Sidës. E vendosur në vitin 1988, Dita Botërore kundër Sidës është një rast për të përkujtuar njerëzit që kanë humbur jetën nga kjo sëmundje.

Ky është gjithashtu një rast që bota të vlerësojë përpjekjet e tanishme për të ndihmuar njerëzit e prekur nga virusi HIV i cili shkakton Sidën dhe për t’u ri-angazhuar në luftën për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të këtij virusi.

HIV-AIDS, përgjatë gjysëm shekulli ka vrarë rreth 30-40 milionë njerëz në mbarë botën, ndërsa po aq të tillë aktualisht e mbartin atë si sëmundje.

Një raport i ri i OKB-së vë në dukje se numri i atyre që jetojnë me virusin HIV në botë vazhdon të shtohet. Afrika nënsahariane mbetet rajoni më i prekur nga sëmundja e Sidës. Më tepër se 25 milion njerëz atje jetojnë me virusin HIV.

Çfarë është HIV-i?

HIV (Human Immunodeficiency Virus) është virusi i cili prek dhe dobëson sistemin imunitar të organizmit të njeriut duke e lënë atë të pambrojtur nga infeksionet dhe nga disa lloje kanceri. Virusi shkatërron dhe dëmton gradualisht funksionin e qelizave të imunitetit. Funksioni imun i organizmit matet nëpërmjet numërimin të qelizave CD4.

Çfarë është AIDS-i?

AIDS (Acquired Immune Deficiency Syndrome) është një term që i referohet fazës më të avancuar të infeksionit HIV. AIDS është dëmtimi i parikthyeshëm dhe progresiv i sistemit imunitar të njeriut prej virusit HIV, i cili çorganizon gjithë sistemin imunitar të tij. Në këtë situatë organizmi nuk është i aftë të përgjigjet ndaj agjentëve parazitarë, viralë, mykotikë dhe atyre oportunistë apo të kontrollojë disa tumore, duke u shfaqur edhe AIDS. AIDS apo i njohur si SIDA është përcaktuar si zhvillimi i disa lloje kanceri, infeksioneve apo manifestimeve të tjera të rënda klinike. HIV nuk është sinonim i AIDS-it. Kjo do të thotë që një person i cili është i infektuar dhe ka virusin HIV në gjak nuk është me patjetër i sëmurë me AIDS. Ai mund të jetë i infektuar me virusin HIV por mund të mos jetë i sëmurë me AIDS.

Cilat janë shenjat e AIDS-it?

Shumë persona që jetojnë me HIV, në muajt e parë mbas infektimit, nuk kanë shenja të dukshme dhe nuk janë në dijeni të gjendjes së tyre/statusit pozitiv deri në fazat e vonshme.

Për t’u zhvilluar shenjat, përgjithësisht mund të kalojnë nga 2 deri në 15 vjet, nga momenti i infektimit deri në shfaqjen e tyre, në varësi të personit. Koha e saktë nga momenti i infektimit me HIV deri në zhvillimin e sëmundjes dhe shfaqjen e shenjave është e pamundur të llogaritet. Kjo kohë është e ndryshme për persona të ndryshëm dhe është në varësi të stilit të jetesës, të mënyrës së të ushqyerit, terapisë dhe mbështetjes sociale dhe psikologjike. Me futjen e terapisë antiretrovirale dhe profilaksisë për infeksionet oportuniste, është zgjatur koha e fillimit të sëmundjes dhe sigurisht mbijetesa e të sëmurëve.

Javët e para pas infeksionit fillestar, këta persona mund të mos kenë asnjë simptomë ose mund të shfaqin shenja të ngjashme me gripin, duke përfshirë ethe, dhimbje koke, skuqje apo dhimbje të fytit. Më pas, me dobësimin progresiv të sistemit imunitar, infeksioni përparon dhe një person mund të zhvillojë edhe shenja të tjera të cilat ndryshojnë në varësi të fazës së infeksionit.

Shenjat më të shpeshta janë: fryrje e nyjeve limfatike, humbje e madhe në peshë, dobësi e madhe, ethe/temperaturë e vazhdueshme, diarre e vazhdueshme që nuk dominohet nga mjekimi, kollë dhe shenja të tjera sipas llojit të infeksioneve të ndryshme oportuniste. Pa trajtim, ata mund të zhvillojnë sëmundje të rënda të tilla si tuberkulozi, meningjiti dhe lloje të ndryshme kanceri.

Si transmetohet HIV-i?

HIV mund të transmetohet nëpërmjet shkëmbimit të lëngjeve të infektuara të trupit si gjaku, qumështi i gjirit, sperma dhe sekrecionet vaginale.

Disa sjellje e kushte që sjellin rrezik më të madh për t’u infektuar me HIV përfshijnë:

  • Marrëdhënie seksuale të pambrojtura
  • Infeksione seksualisht të transmetueshme si sifilizi, herpesi, klamidia, gonorrea dhe vaginosa bakterore
  • Shkëmbimin e gjilpërave të kontaminuara, shiringave dhe pajisjeve të tjera gjatë injektimit të drogës
  • Marrjen e injeksioneve apo transfuzioneve të gjakut të pasigurta, si dhe procedurat mjekësore që përfshijnë prerjen josterile me instrumente të mprehta të kontaminuara
  • Shpimet aksidentale me gjilpërë, përfshirë dëmtimet e stafit shëndetësor
  • Transmetimin nga një nënë e infektuar te fëmija i saj gjatë shtatzënisë, lindjes dhe ushqyerjes me gji

 

Njerëzit nuk mund të infektohen nëpërmjet kontaktit të zakonshëm gjatë bashkëjetesës normale që mund të sjellë përdorimin e përbashkët të dushit, vaskës, wc-së, peshqirit, telefonit, mjeteve të transportit publik, pishinës, frekuentimit të shkollës etj. Po ashtu, infeksioni HIV nuk rezulton të merret nga e puthura, përqafimi, shtrëngimi i duarve, teshtitja dhe kollitja, si dhe nuk transmetohet përmes ujit, ushqimit, ajrit, pickimit të insekteve apo kujdesit për kafshët.

Si diagnostikohet HIV/AIDS?

Testet të ndryshme janë sot në dispozicion për të zbuluar praninë ose mungesën e antitrupave të HIV-it. Infeksioni HIV zakonisht evidentohet nëpërmjet testeve të gjakut të cilat zbulojnë antitrupat e prodhuara nga një person, si pjesë e sistemit të tij imunitar për të luftuar infeksionin HIV. Shumica e këtyre personave i zhvillojnë këto antitrupa brenda 28 ditësh, dhe për këtë arsye antitrupat mund të mos kapen menjëherë pas infeksionit. Kjo periudhë e hershme e infeksionit quhet periudha dritare dhe përfaqëson kohën edhe rrezikun më të madh të transmetimit të infeksionit. Megjithatë transmetimi i HIV-it mund të ndodhë gjatë të gjitha fazave të infeksionit.

Ritestimi i të gjithë personave që diagnostikohen fillimisht me HIV-pozitiv, është praktikë e mirë për të përjashtuar çdo gabim të mundshëm testimi apo raportimi.

Si parandalohet infeksioni HIV?

Mënyrat kryesore për parandalimin e HIV-it, të cilat shpesh janë përdorur në kombinim me njëra- tjetrën përfshijnë:

  1. Përdorimin e prezervativit

Përdorimi korrekt i prezervativit gjatë marrëdhënieve seksuale vaginale ose anale mund të mbrojë kundër përhapjes së infeksioneve seksualisht të transmetueshme, përfshirë HIV.

  1. Testimin dhe këshillimin për HIV dhe IST

Testimi për HIV dhe IST-të e tjera këshillohet me forcë për të gjithë personat e ekspozuar ndaj faktorëve të rrezikut. Në këtë mënyrë ata mësojnë shpejt statusin e tyre të infeksionit, mënyrat parandaluese të nevojshme dhe shërbimet e trajtimit. OBSH-ja rekomandon gjithashtu ofrimin e testimit edhe për partnerët. 

  1. Rrethprerjen mashkullore vullnetare mjekësore

Rrethprerja mashkullore mjekësore (syneti), kur bëhet në mënyrë të sigurt nga profesionistë shëndetësorë të trajnuar mirë, zvogëlon rrezikun e infektimit te meshkuj me rreth 60%.

  1. Përdorimin e terapisë antiretrovirale (ARV) për parandalimin

4.1 Terapia antiretrovirale si parandalim. Studimet kanë konfirmuar se nëse një person HIV pozitiv i përmbahet një trajtimi efektiv ARV, rreziku i transmetimit të HIV-it te partneri i tij seksual i painfektuar mund të reduktohet me 96%.

4.2 Profilaksia para ekspozimit për HIV. Profilaksia para ekspozimit me HIV është përdorimi i përditshëm i barnave nga persona të painfektuar për të penguar infektimin me HIV. Shumë studime kanë treguar efektivitetin e profilaksisë para ekspozimit me HIV në reduktimin e transmetimit të HIV-it te një sërë popullatash, përfshirë meshkujt që bëjnë seks me meshkuj, ata që injektojnë droga etj.

4.3 Profilaksia pas ekspozimit për HIV. Profilaksia pas ekspozimit është përdorimi i barnave ARV brenda 72 orëve të ekspozimit ndaj HIV-it për të parandaluar infeksionin. Profilaksia pas ekspozimit përfshin këshillimin, testimin për HIV dhe marrjen për 28 ditë të barnave antiretrovirale me një ndjekje të kujdesshme.

  1. Reduktimin e dëmit për përdoruesit intravenozë të drogës

Personat të cilët injektojnë droga mund të marrin masa paraprake kundër infektimit me HIV duke përdorur pajisjet sterile injektuese, përfshirë age dhe shiringa për çdo injeksion.

  1. Eliminimin e transmetimit të HIV-it nga nëna te fëmija

Transmetimi i HIV-it nga një nënë HIV-pozitiv te fëmija i saj gjatë shtatzënisë, lindjes, apo ushqyerjes me gji quhet transmetim vertikal, apo nga nëna te fëmija. Transmetimi i HIV-it nga një nënë HIV-pozitiv te fëmija mund të parandalohen gati plotësisht në qoftë se të dy, si nëna dhe fëmija, marrin barna antiretrovirale.

Si trajtohet AIDS-i?

Me gjithë përpjekjet e shkencëtarëve, për momentin nuk ka akoma një mjekim specifik apo vaksinë për infeksionin HIV. Por, fatmirësisht sot egzistojnë trajtime efektive me barna antiretrovirale (ARV) të cilat mundësojnë ngadalësimin e përhapjes së virusit HIV, si dhe trajtojnë infeksionet oportuniste. Barnat antiretrovirale nuk kurojnë infeksionin HIV, por kontrollojnë shumimin e virusit brenda trupit të një personi dhe i mundësojnë sistemit imunitar të tij të rifitojë kapacitetin për të luftuar infeksionet. Mjekimi me ARV zgjat jetën e të sëmurëve dhe rrit cilësinë e saj, duke e shndërruar AIDS-in në një sëmundje kronike.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat