15.5 C
Tirana
Saturday, October 5, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetKthimi i normalitetit rrit Euroizimin e sigurimeve në 31% të primeve

Kthimi i normalitetit rrit Euroizimin e sigurimeve në 31% të primeve

Zbutja e efekteve të pandemisë në ekonomie e ka rritur sërish Euroizimin në tregun e sigurimeve.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), për 6-mujorin e parë të viti pesha e primeve të shkruara në Euro kundrejt totalit u rrit në 31%, nga 27% që kishte qenë në fund të vitit 2020. Ky nivel është i përafërt me fundin e vitit 2019, para se vendi të prekej nga COVID-19.

Vitin e kaluar, pandemia solli rënie në disa produkte ku primet arkëtohen kryesisht në Euro, siç janë produktet e sigurimit të detyrueshëm të Kartonit Jeshil e Sigurimit Kufitar. Por, këtë vit këto produkte janë ringritur falë lehtësimit të kufizimeve të lëvizjes. Kjo ndikoi në rritjen e Euroizimit në grupin e produkteve me peshën kryesore në treg, atë të sigurimeve motorike, ku rreth 19% e primeve rezultuan në valutë të huaj.

Të tjera klasa me rritje të nivelit të Euroizimt të primeve janë Sigurimet e Aviacionit, ku primet në euro kanë arritur në pothuajse 100%, Sigurimi i Garancive me rritje të peshës, me rritje nga 16% në 23%, Sigurimin e Pronës, me rritje nga 53% në 59% dhe Sigurimin e Përgjegjësisë Civile, me rritje të peshës së primeve në euro nga 45% në 49%.

Në disa raste, euroizimi i produkteve lidhet me karakteristika specifike të tyre. Produktet si Sigurimi i Mallit në Transport apo Sigurimet Inxhinierike paraqesin një nivel të lartë Euroizimi për shkak të interesit të siguruar nga këto kontrata, interes i cili vlerësohet kryesisht në Euro në rastet e import-eksporteve dhe sigurimeve inxhinierike që përfshijnë vepra madhore të infrastrukturës, përfshirë ato me shoqëri ndërkombëtare. Megjithatë, Euroizimi është i shtrirë edhe në produkte të tjera, ku në pamje të parë nuk ekziston ndonjë domosdoshmëri e kuotimit të primeve në monedhën ndërkombëtare, siç mund të jetë sigurimi vullnetar kasko apo i sigurimi i pronës.

Nga ana tjetër, klasat që kanë shfaqur rënien më të theksuar të primeve të shkruara në Euro në gjysmën e parë të vitit janë Sigurimi i Aksidenteve dhe Shëndetit, me rënie të peshës nga 61% në 56%, pasuar nga Sigurimi i Mallit në Transport, me rënie nga 69% në 65%.

Sipas dy segmenteve kryesore të tregut, rritja e Euroizimit u përcaktua kryesisht nga sigurimet e jo-jetës, ku shkalla e Euroizimit të primeve u rrit në 31%, nga 26% në vitin 2020. Ndërkohë, në tregun e sigurimit të jetës Euroizimi pësoi rënie në 34%, nga 37% që kishte qenë vitin e kaluar.

Pesha e konsiderueshme e primeve të arkëtuara në Euro reflektohet edhe në strukturën e depozitave bankare të shoqërive të sigurimit. Në fund të vitit 2020, shoqëritë e sigurimeve zotëronin rreth 12 miliardë lekë depozita, nga të cilat 50% ishin të mbajtura në valutë të huaj. Pesha e depozitave në valutë është rritur me 6 pikë përqindje krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Në depozitat në valutë të huaj, peshën kryesore e zënë depozitat e investuara në Euro, të cilat zënë rreth 85.5% të depozitave totale në valutë dhe 43.1% të depozitave totale.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Banka e Shqipërisë nënshkruan në muajin Prill 2017 një Memorandum Bashkëpunimi “Për zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare”. Tre institucionet u angazhuan të ndërmarrin veprime për të ulur nivelin e përdorimit të monedhave të huaja në ekonomi, sipas sektorëve të cilët mbikëqyrin apo monitorojnë. Megjithatë, deri tani vetëm Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë masa konkrete në shërbim të këtij qëllimi. /Monitor

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat