Situata është përkeqësuar ndjeshëm javën e fundit të shtatorit, ku të mërkurën u shënuan 17 humbje jete ndërsa e paqëndrueshme paraqitet situata edhe në dy spitalet COVID. Fundjava ka përmbysur shifrat duke sjellë rritje të numrit të pacientëve të shtrimeve, si edhe të pacientëve në terapi intensive.
“Aktualisht në spitalet COVID po marrin trajtim 182 pacientë, nga të cilët 40 janë në gjendje më të rënduar. Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit nuk e kanë fituar betejën me COVID19 tre qytetarë: Dy qytetarë nga Durrësi 58 dhe 74, një qytetar nga Tirana 70 vjeç”, ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë.
Lidhur me rastet e reja të dielën janë raportuar 467 të prekur. Por ndërkohë, vihet re një përgjysmim i testimeve të kryera. “Janë kryer 2,592 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me COVID19, 467 qytetarë, në këto bashki: 168 në Tiranë, 36 në Selenicë, 20 në Krujë, 18 në Lushnje, 17 në Durrës, 15 në Vlorë, 14 në Kamzë, 13 në Elbasan, Gramsh, 12 në Berat, 11 në Fier, 10 në Korçë, 9 në Kurbin, Himarë, 8 në Shkodër, Kukës, Patos, Gjirokastër, 7 në Lezhë, Kuçovë, 6 në Mat, Sarandë, 5 në Vorë, Mallakastër, 4 në Dibër, 3 në Tropojë, Shijak, Bulqizë, 2 në Pukë, Mirditë, Kavajë, Roskovec, Divjakë, Këlcyrë, Poliçan, 1 në Malësi e Madhe, Has, Përmet, Tepelenë, Dimal, Cërrik, Peqin. Janë 8,951 pacientë aktivë me COVID-19 në të gjithë vendin”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Lexo edhe: A e mbulon polica ime e sigurimit Variantin Delta të Coranavirusit?
VAKSINIMI
Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar më herët, edhe ky muaj do të jetë muaji i hapur për vaksinimet plus 18 vjeç. Gjatë prezantimit të planit të Përgjigjes 2021-2023 ndaj pandemisë dhe impaktit post COVID-19, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se fokusi kryesor në muajt në vazhdim është rritja e mbulesës vaksinale. “Përpjekja mbetet te rritja e mbulesës vaksinale, që padyshim është një detyrë e jona, e sistemit shëndetësor, i cili është çdo ditë në këmbë në funksion të kësaj detyre. Qeveria shqiptare ka garantuar deri më tani dozat e nevojshme të vaksinës.
Brenda pranverës së vitit të ardhshëm, ne duhet që të mundësojmë vaksinimin e popullatës target, ashtu sikurse e kemi përcaktuar. Ndërkohë që tashmë e kemi marrë vendimin për të siguruar që edhe studentët të jenë të vaksinuar dhe të shkojnë në universitete të vaksinuar për të siguruar që shkollat tona të vazhdojnë procesin normal të mësimit në auditorë, ndaj edhe muaji tetor do të jetë një muaj i hapur për vaksinimin”, tha Manastirliu. Duke folur mbi kapacitetet spitalore, ministrja tha se janë 1800 shtretër në dispozicion, të dedikuar për çdo skenar.
“Plani ynë parashikon që të ketë rreth 1800 shtretër të dedikuar për çdo skenar për përballimin e situatës, sigurisht të ndarë sipas tri skenarëve kryesore që ne kemi. Investimet janë gjithëpërfshirëse, duke filluar nga Urgjenca Kombëtare, duke përfshirë fuqizimin e flotës së autoambulancave në funksion të mbulimit akoma më të mirë të territorit por edhe të shërbimit në familje; tek ISHP me investime direkte në fuqizimin me aparatura që besoj do të rrisin në një nivel më të lartë punën e Institutit, gjithashtu sa i përket përmirësimit të sistemit të survejancës. Dhe një ndër investimet mund të them që me të vërtetë do të luajë rol kyç për nga rëndësia që ka, është rehabilitimi i plotë i Spitalit Infektiv, me aparatura të teknologjisë së lartë”, shtoi më tej Manastirliu.
Lexo edhe: Sa e zvogëlon vaksinimi rrezikun e COVID-it të gjatë? Ja çfarë zbuloi studimi
KALO: TË MOS TEPROHET ME ANTIBIOTIKËT
Shenjat klinike si dhimbje fyti, vështirësi në gëlltitje, dhimbje koke, dhimbje kyçesh e muskujsh, temperaturë, kollë e thatë këputje trupore, djersë, etj., janë të zakonshme përgjatë kësaj periudhe dhe pothuajse të njëjta si për gripin stinor, ashtu dhe për COVID-19, ndaj edhe mjeku infeksionist Tritan Kalo apelon që të mos teprohet me përdorimin e antibiotikëve.
Sipas doktorit, gradualisht po hyjmë në stinën e infeksioneve respiratore dhe është e rëndësishme që të mos ngatërrojmë sëmundjet respiratore me koronavirusin. Ndërsa apelon qytetarët që të tregojnë kujdes në respektimin e masave antiCOVID, doktori po ashtu bën thirrje për kryerjen e vaksinës si e vetmja mënyrë për të parandaluar infeksionin. /Panorama
Lexo edhe: COVID-19 i merr jetën 30-vjeçares/ Ç’ofron SIGAL UNIQA në këto momente delikate