Nga Lombardia në Siçili, duke kaluar në Piemonte, Veneto, Emilia – Romanja, Abruzzo, Puglia dhe Kalabria: thatësira është kthyer në problemin më të madh për agrokulturën italiane, duke shkaktuar dëme që vlerësohen deri në 2 miliardë dollarë, për shkak të reduktimit të të korrave.
Ndërkohë presidenti i rajonit të Piemontes i ka dërguar Romës kërkesën për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Por dhe në Lombardi situata është serioze aq sa është kërkuar dhe racionimi i furnizimit me ujë dhe energji elektrike.
Në Veneto dhe Emilia Romanja, me qindra komuna po përdorin autobote për të furnizuar banorët me ujë, dhe njëkohësisht kanë urdhëruar racionimin duke ndërprerë furnizimin gjatë natës.
Kryebashkiakët i kërkojnë qeverisë që të urdhërojë territoret me liqene dhe male të ruajnë ujin duke mos e shpërdoruar atë si dhe ta përdorin kryesisht për banorët dhe agrokulturën dhe jo për qëllime energjitike.
Sipas ekspertëve të dhënat janë alarmante: për kajsitë, qershitë dhe pjeshkët mungon 70% e volumit të ujit që duhet, për dardhat dhe mollët 88%, ndërsa për misrin 50%. Por në rrezik është dhe kultivimi i domates dhe lajthive.
Thatësira prek edhe liqenet. Për liqenet e qendrës situata nuk është e lehtë dhe e njëjta gjë vlen edhe për lumenjtë, kur nivelet e tyre ulen, përqendrimi i ndotjes rritet e nuk mund të hollohen, dhe për rrjedhojë shkaktojnë probleme për florën dhe faunën.
LEXO EDHE: Vera dhe rreziku nga zjarret/ Mos bëni kompromise me sigurinë e pronës suaj