27.5 C
Tirana
Tuesday, April 30, 2024
spot_img
Faqe KryesoreKryesoreA është tregu i sigurimeve në Shqipëri i përgatitur për misionin që...

A është tregu i sigurimeve në Shqipëri i përgatitur për misionin që ka?

Nga Avni Ponari *

Ditët e fundit, tregu i sigurimeve ishte në fokusin e diskutimeve në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.

Shumë pjesëmarrës morën fjalën. Me sa dëgjova, u thanë gjëra që nuk janë aktuale për tregun dhe nuk dëgjova të thuhej çfarë duhet bërë që ky treg, për nga rëndësia që ka në zhvillimin e vendit, të jetë në hapësirën që i takon.

Pothuajse 60 % e popullsisë e njeh tregun vetëm nga sigurimet e detyrueshme siç është ai i makinës, ose ato që i takon detyron banka të sigurojë jetën apo shtëpinë. Të tjerët nuk kanë mjaftueshëm informacion mbi to, pavarësisht zhurmës mediatike që bën bën tregu në tërësi për promovimin e tij dhe të produkteve të sigurimit që ofron.

Nëse ka një industri që ka mision forcimin e personalitetit të individit dhe mbështetjen ndaj klientëve të tij, është pikërisht tregu i sigurimeve pasi lidhja e tyre kontraktuale është aq e fuqishme sa e bën atë të rëndësishëm dhe të fuqishëm. Gjithmonë nëse ka vëmendjen e duhur nga të gjithë aktorët, pjesëmarrës në këtë treg.

Në Shqipëri humbin jetën në aksidente automobilistike mbi 250 persona në vit, ku dëmi mesatar për secilin përllogaritet në mbi 50,000 euro.

Në Shqipëri ndodhin çdo vit edhe mbi 1,500 aksidente me dëmtime të lehta e të rënda ku dëmi mesatar për secilin rast përllogaritet në mbi 10,000 euro.

Në Shqipëri, në një vit, në total ndodhin mbi 30,000 aksidente automobilistike ku sipas llogaritjeve aktuaristike dëmi mesatar është mbi 1,200 euro. Dhe mbi 30 mijë ngjarje të tjera sigurimi në fusha të ndryshme të ekonomisë. Si jetë, shëndet, pasuri, marinë, aksidente personale etj.

Po ashtu, çdo vit ndodhin me qindra aksidente në ambjente pune, si në kantiere ndërtimi, në miniera e në bujqësi.

Çdo vit digjen qindra banesa dhe biznese, regjistrohen dhjetëra shpërthime të bombolave të gazit, ndodhin përmbytje në shumë pjesë të vendit.
Pa harruar edhe tërmetet pasi Shqipëria është mes vendeve me aktivitet të lartë sizmik.

Të gjitha ngjarjet e sipërcituara, përfshirë sëmundjet apo humbjet e jetëve, konsiderohen si ngjarje sigurimi.

Fatmirësisht, në Shqipëri ka një industri sigurimesh me standarte ndërkombëtare ku çdo individ apo grup individësh mund të marrin oferta sigurimi njëjtë si në çdo vend të botës.

Shumë prej tyre kanë vite që përfitojnë nga këto skema dhe ju vjen në ndihmë në përditshmërinë e tyre. Siç ka edhe shumë qytetarë që kanë mungesë informacioni mbi këtë industri.

Po ku ndodhet tregu i sigurimeve sot? Si paraqitet qytetari shqiptar krahasuar me qytetarët e vendeve fqinje apo vendeve të zhvilluara?

Na mjafton të shohim dy statistika për të kuptuar situatën ku ndodhemi:

– Shqiptarët konsumojnë rreth 45 euro për frymë sigurime duke u rënditur kështu vendi i fundit në botë.

– Një qytetar i rajonit konsumon produkte sigurimi 2 ose 3 herë më shumë se ne.

– Ndërsa një qytetar i komunitetit europian konsumon mbi 3,000 euro prime sigurimi për frymë në vit.

Por pse ndodhemi në këtë situatë?

Ne vijmë nga një sistem diktatorial, ku për gjithçka kujdesej shteti. Dhe fatkeqësisht ky mentalitet është trashëguar edhe sot kur vendi ka mbi 30 vjet që ecën në ekonominë e tregut.

Për shkak të këtij mentaliteti sa herë përballemi me një një aksident, sëmundje apo fatkeqësi njerëzit dynden dyerve të bashkive, ministrive apo institucioneve të tjera shtetërore.

Pse jemi ende peng të së shkuarës, fenomen që fatekeqësisht po trashëgohet edhe te brezat e rinj?

Pse ngjarjet e sigurimit nënvlerësohen nga qytetarët, vështrimi i të cilëve vijon të jetë vetëm tek shteti?

Në Shqipëri, shumë pak e dinë që çdo produkt që blihet në market, konsumohet në bar apo restorant është i sigurueshëm; çdo gabim që bën mjeku, infermieri, noteri, inxhinieri apo arkitekti është i sigurueshëm; çdo incident shëndetësor apo material në hotel është i sigurueshëm. Sa ngjarje sigurimi ndodhin çdo ditë me shkak përgjegjësinë e produktit, përgjegjësinë profesionale etj?

Një element thelbësor i industrisë së sigurimeve është edhe Sigurimi i Shëndetit, i cili mbetet një prej problemeve themelore sot në Shqipëri dhe në botë.

Kudo në Shqipëri janë hapur spitale dhe klinika private. Plot janë! Siç ka edhe shtetërore! Por çfarë ndodh? Njerëzit preferojnë ato private dhe kjo ndodh kudo, edhe në botën e qyteteruar .
Sipas shifrave të publikuara për vitin 2022, qytetarët shqiptarë kanë paguar në klinika dhe spitale private mbi 300 milionë euro.

Shifra mund të jetë edhe e pasaktë por një gjë është e sigurt, xhiroja vjetore e spitaleve dhe klinikave private në vend është mbi 100 milionë euro me qytetarët që paguajnë cash apo nga llogaritë e tyre bankare.

Po tregu i Sigurimit Privat të Shëndetit çfarë peshe ka?

Ai nuk i kalon 6 milionë eurot, shifër që tregon edhe situatën ku ndodhemi. Për këtë arsye, por jo vetëm, edhe për shëndetin, që është gjëja më e shtrenjtë e njeriut, tregu mbetet ende i vogël.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm që mungojnë reformat reale dhe thelbësore, ndërsa tregun të sigurimeve nuk i mungon eksperienca dhe përvoja në ndërtimin e tyre. Ateherë a duhet parë me kujdes çfarë mund të behet dhe si mund ta afrojmë këtë shërbim sa më afër klientëve?

Me pak shpenzime vjetore, çdo qytetar, pavarësisht mundësive ekonomike, ka mundësinë të sigurojë shëndetin e tij apo të familjarëve të tij.

Por pavarësisht kësaj, fatkeqësisht njerëzit preferojnë të vazhdojnë të paguajnë sporteleve të klinikave dhe spitaleve private, njësoj siç paguajmë te kasa e marketit pasi kemi blerë speca dhe domate.

E njëjta situatë është edhe me dëmtimin e banesave nga zjarri, tërmeti, përmbytja e fatkeqësi të tjera natyrore.

Edhe për këto ngjarje, tregu i sigurimeve ka patur dhe ka një ofertë të hapur dhe shumë dinjitoze për qytetarët, por kjo ofertë nuk përthithet.

E dini se me një policë sigurimi që ka kushtuar vetëm 40 euro, për një aksident të ndodhur jashtë Shqipërisë, një kompani sigurimi shqiptare ka paguar dëm mbi 3.5 milionë euro?

Por pavarësisht këtyre fakteve, qytetarët vijojnë ti kenë sytë nga shteti.

Prej vitesh bota e ka zgjidhur këtë aspekt duke ndërmarrë reforma rrënjësore dhe të guximshme, të cilat i kanë dhënë përparësi qytetarit.

Ndaj sot, kudo në Europë dhe në Botë tregjet e sigurimeve janë në majat e bizneseve si shëmbëlltyra e shkëlqyer e mbrojtjes të qytetarit nga çdo humbje financiare. Tregu i sigurimeve është ndryshe nga të tjerët sepse është ngritur me qëllim primar, mbulimin e dëmeve kur ato ndodhin, përmes shpërblimeve financiare.

Pavarësisht zhvillimeve tejet pozitiv të 25 viteve të fundit, në forcimin e themeleve dhe të qëndrueshmërisë së industrisë së sigurimeve në vend, potenciali i zhvillimit, rritjes dhe zgjerimit të mëtejshëm të industrisë është i madh dhe se fusha të reja mund të ‘shkelen’ në këtë drejtim.

Tregu shqiptar i sigurimeve po konsolidohet vit pas viti dhe po shndërrohet në një industri të mirëfilltë e cila rrit punësimet, rrit investimet dhe prezencën ne ekonominë shqiptare. Por sot ai ka nevojë për reforma të rëndësishme ligjore, të cilat ta bëjnë të kërkuar dhe të domosdosshëm për qytetarët.

Por sot ai ka nevoja per ndryshime të mëdha pasi ka mbetur një treg pa insentiva dhe i ngarkuar me shumë taksa.

Taksa mbi primin bruto, që paguhet sot, është 11.5 %. Por nëse llogaritet me primin neto kalon 20%-in.

Lehtësimi nga këto taksa, veçanërisht lehtësimi për produktet vullnetare të sigurimit, siç është ai i shëndetit, do ti japë një tjetër frymëmarrje tregut privat, duke e lidhur edhe me sigurimin e detyrueshëm shëndetësor.

Dhe më themelorja mbetet bërja e mundur e kalimit të përgjegjësive financiare nga shteti tek individi, çka është edhe parimi bazë i ekonomisë së tregut.

* Themelues dhe CEO i SIGAL UNIQA Group Austria

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat