Ditën e djeshme u shënua viktima e parë e gripit në vendin tonë. Bëhet fjalë për një 70-vjeçar nga Gjirokastra.
I moshuari ka humbur jetën në Shërbimin Infektiv pas komplikacioneve që i shkaktoi virusi.
Burime për A2 CNN bëjnë të ditur se i moshuari ka humbur jetën në datën 3 janar, edhe pse nuk ka ende një njoftim zyrtar nga QSUT dhe Ministria e Shëndetësisë.
Mësohet se 70-vjeçari ka kryer tamponin për Covid-19, por ka rezultuar negativ.
Gjithashtu, sipas burimeve për median, ai vuante edhe nga sëmundje bashkëshoqëruese.
Shqipëria ndodhet në kulmin e sezonit të virozave dhe gripit stinor.
Sipas ISHP, gripi stinor ka shtuar qarkullimin e tij në javën e parë të muajit janar 2024.
Që javën e parë të janarit, autoritetet shëndetësore në vend njoftuan për fluks rastesh me grip.
Sipas tyre, rreth 12 mijë qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e prekjes nga viruse stinore, përshirë grip dhe koronavirus.
Gjithsesi ekspertë të shëndetit publik pohojnë se jemi në një aktivitet normal të sezonit të gripit por me një prirje në rritje, ku piku më i lartë i infektimeve do të arrihet në fund të muajit janar dhe fillim të muajit shkurt.
Në një komunikim për mediat, autoritetet shëndetësore patën njoftuar se aktualisht është konfirmuar se në qarkullim është gripi i tipit A, i cili është shpërndarë më shumë në grupmoshën 1 deri në 4 vjeç, që ka edhe numrin më të lartë të të infektuarve.
Si Covid-19 ashtu edhe gripi mund të përhapen nga personi në person përmes pikave ose grimcave më të vogla virale të prodhuara kur njerëzit e sëmurë kolliten, teshtijnë ose flasin. Grimcat më të vogla mund të kalojnë në ajër, duke vënë në rrezik një person tjetër që t’i thithë ato dhe të infektohet.
Përsa i takon shpërndarjes gjeografike, incidenca më e lartë është në Gjirokastër, Fier, Durrës dhe Berat.