Ministri i Mjedisit, Planifikimit Urban dhe Ndryshimeve Klimatike i Turqisë, Murat Kurum pohoi se janë 50.576 ndërtesa të dëmtuara nga tërmeti të cilat duhet të prishen pa humbur kohë.
Sipas rezultateve të vlerësimit të dëmeve, qeveria ka inspektuar 387,346 ndërtesa në 10 provincat e vendit dhe 279,655 prej tyre janë ndërtesa të dëmtuara lehtë ose jo të dëmtuara, tha ai, raportojnë mediat turke.
Ai theksoi se operacioni për të prishur banesat e dëmtuara do të nisë shpejt, ndërkohë u zotua se të rejat do jenë më të sigurta.
“Do të prishim shpejt atë që duhet të prishet dhe do të ndërtojmë ndërtesa të sigurta”, citohet të ketë thënë më tej ministri.
LEXO EDHE: Energjia e tërmeteve në Turqi, 2000 herë më e lartë se boma atomike e Hiroshimës
Tërmeti i javës së kaluar, me epiqendër në Turqinë juglindore, rezulton të jetë më i rëndi në këtë vend të paktën në këto 100 vite.
Bilanci i viktimave kapërceu edhe atë të vitit 1939 të Erzinxhanit, ku humbën jetën 33 mijë njerëz.
Teksa operacionet e kërkim shpëtimit kanë hyrë në ditën e 10-të, numri i viktimave ka arritur në 35,400 vetëm në Turqi. Ndërsa numri i përgjithshëm i të vdekurve përfshirë edhe Sirinë përllogaritet në mbi 41 mijë.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se 105,505 u plagosën si rezultat i tërmetit dhe pasgoditjeve të tij të 6 shkurtit, me epiqendër në Kahramanmaras. Ai e cilësoi tërmetin e 6 shkurtit si “katastrofa e shekullit”.
Vlera e rindërtimit në Turqi pritet të arrijë dhjetëra miliardë Dollarë.