Një mijë shqiptarë të tjerë investuan në skemën private të pensioneve në gjysmën e parë të vitit 2023.
Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se në fund të qershorit, numri i atyre që po kontibuuojnë në një skemë private pensioni arriti në 37,594 nga 36,518 që ishte në fund të vitit të shkuar.
Megjithatë në raport me totalin e të punësuarve që përllogaritet në mbi 1.3 milionë, vetëm 2.8% rezultojnë kontribuues në skemën vullnetare të pensioneve.
LEXO EDHE: “Me 43.03% të totalit”, Monitor: SIGAL UNIQA Fond Pensioni, më i madhi për nga vlera e aseteve
Mosbesimi ende në nivele të larta nga qytetarët shoqëruar nga gatishmëria e ulët për të investuar pranohet edhe nga përfaqësues të tregut të sigurimeve.
“Jemi të ndërgjegjshëm që ka nevojë për shumë më shumë ndërgjegjësim me qëllim që qytetarët të vijnë te pensionet vullnetare,” shprehet Elvis Ponari nga Shoqata e Siguruesve të Jetës, Pensioneve.
Megjithatë si qytetarët, ashtu edhe kompanitë e sigurimit bien dakord se pensioni shtetëror nuk mjafton. Ndaj shqiptarët po vijojnë të investojnë pak nga të ardhurat e tyre në skemat private.
“Kjo duhet parë si mënyra e vetme që të moshuarit të mos jenë gjatë gjithë kohës të varur nga fëmijët e tyre”.
Në një kohë që përfshirja në skemën private vijon të mbetet në nivele të ulëta, Parlamenti pritet t’i japë “dritën jeshile” pensioneve private ‘me detyrim’.
Nga vetëm shtetëror dhe privat, skema do të përmbajë edhe pensionin e detyruar, një kombinim mes shtetit dhe privatit.