Nga Dr.Erion Dasho
Bashkimi Europian ka identifikuar tre kategori personash si përfitues të së drejtës për lëvizje të lirë për sa kohë pandemia ende vazhdon:
》Persona të vaksinuar me dy doza të një vaksine të miratuar nga EMA
》Persona të shëruar prej COVID-it
》Persona që janë bartës të një certifikate testimi me rezultat negativ
Të tre këto kategori kanë limitet e tyre. Për vlefshmërinë e certifikatës së vaksinimit ende nuk ka një përcaktim përfundimtar, ndonëse janë përfolur afate 6 dhe 8 mujore.
Ndërkohë certifikata si person i shëruar prej COVID-it vlen vetëm 6 muaj, testi i shpejtë vlen 48 orë dhe testi PCR vlen 72 orë.
Ndërsa është i vetëkuptueshëm skadimi 2 apo 3 ditor i vlefshmërisë së testit, skadimi 6 mujor i certifikatës si person i shëruar është vënë prej kohësh në pikëpyetje.
Afati 6 mujor fillimisht u lidh me praninë e antitrupave anti-COVID në gjakun e personave të shëruar, por të gjithë e dimë tashmë se imuniteti është shumë më kompleks se kaq. Brezi im nuk ka as antitrupa kundër virusit të lisë, por jemi të gjithë të mbrojtur nga vaksina që krijon imunitet të përjetshëm.
Për më tepër ka patur dy studime të cilët mund ta ndryshojnë katërcipërisht konceptin tonë mbi imunitetin natyror të fituar pas kalimit të COVID-it:
Së pari, në fillim të muajit maj u botua një studim i shkencëtarëve të Oksfordit që konstatonte qeliza imunitare plazmatike tek personat e shëruar prej COVID-it apo ata të vaksinuar. Këto qeliza lidhen me imunitetin afatgjatë (ndoshta edhe të përjetshëm).
Së dyti, studimi izraelit i publikuar në revistat prestigjioze “Nature” dhe “Science Magazine” para disa ditësh. Ky studim e gjeti imunitetin natyror disa dhjetëra herë më të fuqishëm dhe më afatgjatë se imunitetin e nxitur nga vaksinimi.
Këto dy studime kanë potencialin të ndryshojnë rrënjësisht përafrimin tonë ndaj sigurisë lidhur me COVID-in. Nëse gjetjet e tyre konfirmohen nga studime të tjerë dhe pranohen nga organizmat rregullatorë, implikimet do të ishin të jashtëzakonshme, sidomos lidhur me programin e vaksinimit.
Nëse një person i shëruar konsiderohet “i sigurt në raport me COVID-in” për një periudhë që tejkalon 6 muajt e tanishëm, kjo do të thotë se ky person nuk ka nevojë të administrojë vaksinën.
Në vijim, kjo do të thotë jo vetëm më shumë vaksina për ata që realisht kanë nevojë, por edhe eliminim i një numri të madh “argumentesh” dhe teorish konspirative që No-Vax-ët dhe Anti-Vax-ët kanë paraqitur në vazhdimësi.
Të presim dhe të shpresojmë!