-0.5 C
Tirana
Sunday, November 24, 2024
spot_img
Faqe KryesoreCovid-19Sa vlen jeta e njeriut?

Sa vlen jeta e njeriut?

Nga Dr. Aranit Muja*, Drejtor i Administrimit të Riskut, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare

Sa vlen jeta e njeriut? Sa duhet të shpenzohet për ta mbrojtur atë?

Shkencat sociale, filozofike apo ato ekonomike nuk kanë dhënë një koncept të standardizuar për vlerën e një jete njerëzore. E megjithatë, kur analizohen rreziqet me të cilat përballet jeta njerëzore, me zgjedhjet që njerëzit bëjnë për të ruajtur shëndetin e tyre, vlerës së Jetës i jepet edhe një kuptim në shifra. Në rastin e një aksidenti automobilistik apo në vendin e punës, të një gabimi mjekësor, fatkeqësie natyrore, etj., fillojnë edhe përllogaritjet statistikore të kësaj vlere. Disa organizma si qeveria, gjykatat, apo shoqëritë e sigurimit, duhet të përcaktojnë një vlerë për të dëmshpërblyer në rast të humbjes së jetës së një njeriu, apo përkeqësimit të saj. Një metodë, e cila mund të përdoret nga politikëbërësit për të analizuar kostot dhe përfitimet në balancimin e mbrojtjes së shëndetit dhe investimeve në ekonomi, është ajo që vlerëson në terma monetarë shpenzimet e nevojshme për të evituar mundësinë e humbjes së një jete.

Studimet për këtë vlerësim sasior të Jetës, që ekonomistët e quajnë “vlera statistikore e një jete” (the value of a statistical life), janë të shumta. Ekonomistët Viscusi dhe Masterman në shkrimin e tyre Income Elasticities and Global Values of a Statistical Life (2017), referuar rastit të Shqipërisë,  vlerësojnë që jeta e një njeriu vlen rreth 625 mijë euro. Nëse konsiderojmë jetët e humbura nga pandemia Covid-19, sipas këtij parametri, vlerësohet që deri tani Shqipëria ka pësuar një humbje prej më shumë se 1.5 miliardë euro. Bazuar në këtë shifër, ky parametër mund të shërbejë në analizimin e kostove dhe përfitimeve për marrjen e masave shtrënguese në rast të përhapjes së mëtejshme të pandemisë në periudhat e ardhme.

Kritika kryesore që i bëhet këtij parametri është se ai tenton t’i atribuojë të njëjtën vlerë ekonomike jetës së njerëzve, situatat e të cilëve janë shumë të ndryshme, si për shembull: një i ri i shëndetshëm dhe i punësuar në një punë, ku krijon të ardhura të konsiderueshme, krahasuar me një të moshuar, në pension dhe me sëmundje patologjike, që rrisin probabilitetin e vdekshmërisë. Ekonomistët që mbështesin këtë metodologji vlerësimi sjellin në vëmendje që edhe agjencitë qeverisëse, kur marrin vendime për investime në mbrojtjen e jetës dhe shëndetit, nuk bëjnë dallime në vlerësimin e jetës së njerëzve, pavarësisht nëse ata janë të shëndetshëm apo të sëmurë, të rinj apo të moshuar, të pasur apo të varfër.

Referuar praktikave të aplikuara në vendin tonë për dëmshpërblimin në rast të humbjes së jetës rezulton se ai është 500 mijë lekë, në rastet e dëmshpërblimit nga shteti për humbjet e jetës nga fatkeqësitë natyrore, apo nga ndonjë fatkeqësi tjetër (VKM 329/2012), pa bërë dallime në bazë të moshës, gjinisë, gjendjes shëndetësore, etj. Vlerësimi shkon deri në miliona euro, nëse konsiderojmë rastin e sigurimit të jetës në mënyrë vullnetare.

Lexo edhe: Përse na duhet një Sigurim Privat Shëndeti

Përsa i përket sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit deri më 30 qershor 2021 ka qenë në fuqi ligji 10076/2009, i cili rregullonte këtë fushë. Në bazë të këtij ligji në rast të humbjes së jetës në një aksident automobilistik, vlera e dëmshpërblimit nuk e tejkalonte kufirin e 20 milionë lekëve.

Me hyrjen në fuqi të ligjit 32/2021 nga 1 korriku i këtij viti, ka një rritje të limiteve të përgjegjësisë, pasi vlera e dëmshpërblimit, për të dëmtuarit në një aksident automobilistik, arrin deri në 75 milionë lekë, ndërsa nëse ndodh vetëm një humbje jete dëmshpërblimi shkon deri në 32 milionë lekë. Pra, me ndryshimet ligjore, tashmë në fuqi, limiti i përgjegjësisë për person, në një aksident automobilistik, është rritur me 60%.

Lexo edhe: Kur makina juaj është 100% e sigurtë

Natyrisht, metodologjia e përllogaritjes së vlerës së dëmshpërblimit në sektorin e transportit është më komplekse krahasuar, me rastet e dëmshpërblimit nga shteti ku vlera është fikse 500 mijë lekë, pasi merr në konsideratë disa faktorë, siç janë: mosha, niveli i të ardhurave personale, si dhe numri i pjesëtarëve të familjes së personit që ka humbur jetën. Sa më i ri të jetë personi që ka humbur jetën, me të ardhura personale të larta dhe numër të konsiderueshëm të familjarëve, aq më lart pritet të vlerësohet jeta dhe anasjelltas, nëse personi që ka humbur jetën është i moshuar, në pension dhe ka një familjar të vetëm, aq më e ulët do të jetë vlera e dëmshpërblimit.

Për të miturit deri në 16 vjeç, me hyrjen në fuqi të Rregullores nr. 125, datë 28.07.2021 “Për përcaktimin e rregullave dhe metodologjisë së llogaritjes së dëmshpërblimit që mbulohet nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”, miratuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në rast humbje jete nga një aksident automobilistik ka një rritje me 150% të dëmit pasuror shëndetësor. Natyrisht, që për familjarët e të miturit asnjë shumë monetare nuk do të kompensonte dhimbjen e tyre, gjithsesi është gjykuar e domosdoshme rritja e limitit të dëmshpërblimit me hartimin e kuadrit rregullator në zbatim të Ligjit 32/2021.

Lexo edhe: Fëmijët e shëndetshëm ju bëjnë prindër të lumtur! Bashkë ia dalim

Në rastet e humbjes së jetës si pasojë e një gabimi mjekësor, nga energjia elektrike, apo nga shkaqe të tjera për të cilat nuk janë të parashikuara dëmshpërblime nga shteti dhe as nuk janë të mbuluara me produkte nga shoqëritë e sigurimit nevojitet përcaktimi i një metodologjie për vlerësimin e dëmshpërblimit. Në mungesë të akteve ligjore apo rregullatore që parashikojnë një metodologji vlerësimi për këto raste, për të reduktuar arbitraritetin sugjerohet që, për përllogaritjen e vlerës së dëmshpërblimit, të aplikohet metodologjia e zbatuar për aksidentet në sektorin e transportit, sipas Ligjit 32/2021, si metodologjia më e plotë për vlerësimin e masës së dëmshpërblimit në rast të humbjes së jetës njerëzore.

/Monitor

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat