Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të rrëzojë përfundimisht marrëveshjen për rritjen e dakordësuar të çmimeve të autoshkollave.
Marrëveshja e nënshkruar midis Drejtorisë së Transportit Rrugor, Drejtorisë së Tatimeve dhe Shoqatave të Autoshkollave, përcaktonte vendosjen e një çmimi minimal prej 85 mijë lekësh për kursin e patentës.
Pasi e pezulloi fillimisht zbatimin e marrëveshjes, Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e të premtes, tha se ajo ka për objekt de facto dhe de jure caktimin e tarifës së pagesës dhe kostos referuese minimale.
Autoriteti i Konkurrencës: “Është një marrëveshje e ndaluar në vetvete për nga objekti, në kuptim të nenit 4, pika 1, gërma a), të ligjit nr. 9121/2003, pasi me hyrjen në fuqi do të çojë në praktika të njëjta në çmimet/tarifat e pagesës për përgatitjen dhe fitimin e kategorisë së leje drejtimit, dëshmisë ose certifikatës, duke penguar, kufizuar dhe shtrembëruar konkurrencën në treg. Si e tillë kjo Akt Marrëveshje, në kuptim të nenit 4, pika 2, të ligjit nr. 9121/2003, është e ndaluar”