Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, z. Ervin Mete nënshkroi aderimin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në Memorandumin Shumëpalësh të Bashkëpunimit të Shoqatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS).
Ceremonia e nënshkrimit u realizua me rastin e Takimeve të Komiteteve dhe Seminarit Global të IAIS dhe në të morën pjesë Kryetarja e Komitetit Ekzekutiv të Shoqatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Sigurimeve, Dr. Vicky Saporta, Sekretari i Përgjithshëm, z. Jonathan Dixon, si edhe drejtues të tjerë të IAIS dhe AMF.
Aderimi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në Memorandumin Shumëpalësh të Mirëkuptimit (MMoU) të Shoqatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS) ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes mbikëqyrësve në tregun e sigurimeve.
AMF bëhet pjesë e një grupi prej 77 vendesh nënshkruese të MMoU-së, pasi ka realizuar një proces rigoroz verifikimi të përputhshmërisë së bazës ligjore dhe rregullatore me standardet ndërkombëtare të IAIS.
Kryetarja e Komitetit Ekzekutiv të IAIS, Dr. Vicky Saporta i uroi mirëseardhjen Shqipërisë në grupin e vendeve nënshkruese të Memorandumit.
Ajo vlerësoi hapat e ndërmarra nga Autoriteti deri në anëtarësimin në Memorandum dhe u shpreh se kjo do t’i shërbejë AMF për një realizuar një bashkëpunim më të ngushtë me mbikëqyrësit e tjerë.
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Ervin Mete e cilësoi një arritje për Autoritetin aderimin në Marrëveshjen e Bashkëpunimit të IAIS.
Ai konsideroi se aderimi në MMoU do të jetë ndihmesë për shkëmbimin e informacionit, për një mbikëqyrje më efektive të grupeve ndërkufitare të sigurimeve duke shtuar gjithashtu se Autoriteti në bashkëpunim me IAIS do të përmbyllë vlerësimin e Parimeve Themelore Ndërkombëtare në sigurime (ICP), për të siguruar një avancim të mëtejshëm të praktikave mbikëqyrëse me standardet ndërkombëtare.
Memorandumi i IAIS përfaqëson një kuadër global përputhshmërie dhe konfidencialiteti, që i hap rrugën bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes mbikëqyrësve të tregut të sigurimeve.
Përmes anëtarësimit në grupin e nënshkruesve të MMoU-së, AMF mund të shkëmbejë informacion dhe të japë ose përfitojë asistencë nga nënshkruesit e tjerë, në funksion të stabilitetit financiar dhe mbikëqyrjes efektike të tregut të sigurimeve.
AMF është anëtar i IAIS që nga viti 2001.