Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka dhënë fund emergjencës globale shëndetësore Covid-19, tre vite pas shpalljes së saj. Virusi gjunjëzoi botën dhe u ka marrë jetën 6.9 milionë njerëzve dhe ka prekur mbi 765 milionë të tjerë.
“Me shpresë të madhe e shpall të përfunduar COVID-19 si një emergjencë globale shëndetësore”, tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus. “Kjo nuk do të thotë se COVID-19 ka mbaruar si një kërcënim global për shëndetin.”
Në maj të vitit të kaluar, ekspertët e OBSH-së thanë se fundi i pandemisë ishte “në horizont”, duke publikuar përmbledhje politikash që qeveritë duhet të ndiqnin mbi kontrollin e infeksionit, testimin, vaksinimin dhe dezinformimin.
“Për më shumë se një vit, pandemia ka qenë në një prirje rënëse,” tha Tedros në një konferencë shtypi të Premten.
“Kjo prirje ka lejuar që shumica e vendeve të kthehen në jetë siç e dinim përpara Covid-19,” tha Tedros. “Dje, komiteti i urgjencës u mblodh për herë të 15-të dhe më rekomandoi që të shpallja fundin e urgjencës së shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar. Unë e kam pranuar atë këshillë.”
Muajin e kaluar aplikacioni i NHS COVID u çaktivizua dhe do të ndërpritet plotësisht më 16 maj. Virusi Covid-19 u shpall një pandemi më 11 mars 2020, duke shkaktuar bllokime dhe kufizime të udhëtimit në të gjithë botën.