I ftuar në studion e “MCN Economy”, Elvis Ponari, CEO i Fondit të Pensionve në Sigal dhe njëherazi Kryetar i Shoqatës së Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimeve, teksa foli mbi skemat e pensioneve në Shqipëri u shpreh se aktualisht në vendin tonë operojnë 4 fonde pensioni vullnetar me një portofol prej mbi 40 milionë eurosh.
Ponari shpjegoi edhe përfitimet që kanë kontribuuesit në skemat e pensioneve private.
“Skemat private janë skema suportuese. Katër kompani në treg që ofrojnë pensione private janë kompani të konsoliduara. Ligjet janë të sakta, në mënyrë të tillë që paratë janë të sigurta.
Skema private është një produkt financiar i ofruar në Shqipëri prej 11 vitesh. Këto para grumbullohen në një portofol, 40 milionë euro për 4 kompani së bashku.
Ka benefite, sepse tatimi është i ulët. Është i trashëgueshëm. Në rast se kontribuuesi ndërron jetë, familjarët marrin interesat.
Është një produkt financiar i veçantë dhe i dedikuar. Ne kemi të drejtë të blejmë obligacione në Bankën e Shqipërisë. Ne kemi mundësi t’u ofrojmë qytetarëve një pension shtesë nga ai shtetëror”, tha ndër të tjera Ponari.
Ndërkohë sipas ekspertit të ekonomisë Majlind Lazimi, Shqipërisë i duhet një strategji e re për skemën e pensioneve.
Sipas tij, aktualisht për çdo përfitues pensioni në Shqipëri ka 1.17 kontribuues, një shifër e ulët kjo, që për më tepër shoqërohet edhe me vlerë të ulët kontributesh.
Kjo tregon, shtoi eksperti, se krahas emigracionit, në skemën e pensioneve po ndikon edhe informaliteti.
“Duket qartë se pavarësisht se kemi rritje të numrit të kontribuuesve, sërish kemi hendek të skemës, e cila duhet të subvencionohet nga shteti. Kemi shkurtim të kontribuuesve nga sektori privat dhe rritje te kategoria e të vetëpunësuarve. Viti 2020 nuk është viti më i mirë për të bërë krahasimin. Ajo që më bie në sy është se kemi raport të ulët mes kontribuuesve dhe pensionistëve. Për çdo pensionist kemi 1.17 kontribuues, duhet të kemi rritje të numrit të kontribuuesve pasi shifrat tregojnë plakjen e popullsisë. Emigracioni zvogëlon kontribuuesit, popullsia po plaket. Tjetra është informaliteti, pra paguhet pak. Na duhet një strategji për skemën e pensioneve”, u shpreh Lazimi.
Nga ana tjetër, ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj Kortoçi deklaroi se ka një ulje të kontribuesve në zonat rurale ndërkohë që në zonat urbane ndodh e kundërta.
Duke vijuar shpjegimin e saj, ajo tha se në fshatra më shumë merret nga skema e pensioneve sesa derdhet dhe kjo gjë sjell një problematika.
“Ka më pak njerëz që janë të punësuar dhe derdhin sigurime, këtu përfshijmë dhe informalitetin. Problemi i dytë lidhet me numrin e ulët të kontribuuesve në zonat rurale, duke qenë se kemi një numër të madh të pensioniste krijohet një hendek. Në fshatra më shumë merret nga skema e pensioneve sesa derdhet dhe kjo sjell një problematikë.
Sa i përket skemës së pensioneve vullnetare, ekspertja e ekonomisë e cilësoi si një alternativë pozitive, pavarësisht se tregu momentalisht në Shqipëri është ende i vogël.
“Tregu i pensioneve private është i vogël dhe zë 1.7% të tregjeve, një nga arsyet është se i njohin pak dobishmërinë e skemës së pensionit privat. Pensioni në skemat private është i trashëgueshëm. Është një vlerë që kur kalon tek pensioni privat nuk është e tatueshme. Në vitet që vijnë dhe do kemi ata që njerëz që kanë punuar gjatë trancizionit do e gjykoja si alternativë pozitive”.
LEXO EDHE: Trendi më i fundit/ Shqiptarët i drejtohen fondeve private për pensionin e pleqërisë
Emisioni i plotë: