Krishti u ngjall!
Besimtarët katolikë në mbarë botën festojnë sot Pashkët, ditën e ringjalljes së Krishtit, një nga ngjarjet më të rëndësishme në kalendarin fetar.
Festimet e Pashkës nisin me meshën e madhe të së shtunës mbrëma që mbahet në të gjitha kishat katolike dhe përfundojnë me drekën tradicionale të së dielës.
Meshën në Katedralen e Shën Palit e drejtoi Arqipeshkvi Mitropolit, Imzot Arjan Dodaj, i cili uroi besimtarët dhe kërkoi angazhimin e të gjitha strukturave shtetërore, sociale e mediatike “për t’u vënë në shërbim të një horizonti më me shpresë për të rinjtë.”
Shumë qytetarë iu drejtuan katedraleve dhe kishave në qytetet ku jetojnë për të kremtuar festën e shenjtë.
Ndërsa sot është dreka e Pashkës.
Për festën e Pashkës, besimtarët shkëmbejnë dhe thyejnë vezët e lyera me ngjyrë të kuqe, simboli i jetës e më pas urojnë njëri-tjetrin për këtë ditë të shënuar.
Veza e kuqe është një veçori karakteristike e kësaj feste që simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës.
Pashkët festohen të dielën, pas periudhës 40-ditore të quajtur Kreshmë që është periudha e agjërimit.