Trajneri Sylvinho dhe drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit po punojnë mbi programin stërvitor, por mbi të gjitha për sigurimin e rivalëve për të paktën tre ndeshje miqësore përpara finaleve të Euro 2024.
Dy pistat e para që çonin te përballjet me Zvicrën ose Turqinë në datat e lira të FIFA-s gjatë muajit mars duket se janë sfumuar. Ndërkohë, tratativat vijojnë me Federata të tjera. Objektiv është sigurimi i një emri të madh për një prej miqësoreve të marsit.
Siç dihet, kombëtarja e Shqipërisë do të luajë në një grup shumë të fortë me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë, ndërsa për këtë arsye kërkohet një rival që të jetë në të njëjtin nivel.
Po ashtu, kërkohen edhe të paktën dy kundërshtarë të tjerë, që do t’i mundësonin Silvinhos të kristalizonte idetë e tij mbi futbollistët që do të marrë me vete në Gjermani.
Një detyrë e vështirë për teknikun kuqezi, pasi UEFA ka vendosur që secila skuadër të grumbullojë 23 lojtarë dhe jo 26 siç ndodhi në Europianin e fundit për shkak të pandemisë.
LEXO EDHE: Shorti i “Euro 2024″/ Shqipëria mëson kundërshtarët! Datat dhe stadiumet e dueleve