Një ngjarje e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit në afërsi të fshatit Kuqar në Këlcyrë. Një aksident i frikshëm i cili i mori jetën 8 personave.
Mendohet se makina ka qenë me një shpejtësi tejet të lartë, ka dalë nga rruga dhe ka “fluturuar” gati 400-500 metra drejt lumit Vjosa.
“Në fakt sipas informacioneve të grumbulluara në këto momente, bëhet me dije se shoferi kishte arritur të merrte në automjetin e tij 7 emigrantë dhe më pas ka pikasur patrullën e policisë, e cila qëndronte përgjatë segmentit rrugor Këlcyrë-Përmet. Ndoshta nga ana e policisë është bërë me shenjë që të ndalojë ose personi në fjalë nga frika që ka pasur duke qenë se kjo gjë është e jashtëligjshme ka tentuar që të shmanget duke rritur shpejtësinë dhe duke përfunduar goxha metra larg rrugës kryesore, afër lumit Vjosë”, raportoi nga vendngjarja gazetarja e Klan, Dorina Muhaj.
“Është i dyshimtë fakti që përgjatë gjithë aksit rrugor që ndodhemi këtu nuk shohim që të ketë një vend nga mund të ketë dalë mjeti. Makina ka fluturuar gati 400-500 metra larg nga rruga kryesore”.
Ndërkohë rreth e rrotull zonës ku ndodhi aksidenti janë të shpërndarë trupat e pajetë.
“Në këto momente që po flasim trupat nuk kanë mundur që të nxirren apo lëvizen, duke qenë se është një pamje e tmerrshme ajo që po shohim në këto momente. Trupat janë gjithandej, rreth e rrotull automjetit, trupa të cilët është e vështirë që të identifikohen”, raporton gazetarja.
Shtatë prej viktimave kanë qenë emigrantë që vinin nga vendet e Lindjes së Mesme dhe viktima e tetë, shoferi nga Shkodra.
Makina ka qenë e marrë me qira me policinë që ka shoqëruar pronarin e saj.