Banka e Shqipërisë, mes disa vlerësimeve të tjera për projektbuxhetin 2026, i ka bërë thirrje qeverisë që të rishikojë edhe parametrat e skemës së pensioneve, për t’u përballur me sfidat e demografisë dhe qëndrueshmërisë financiare të sistemit të sigurimeve shoqërore e shëndetësore.
“Treguesit fiskalë dhe demografikë pritet të ushtrojnë trysni të shtuar mbi financat publike në të ardhmen, duke bërë të domosdoshëm ndërmarrjen e reformave shtesë që do garantonin reduktimin e vulnerabiliteve fiskale të lidhura me to. Banka e Shqipërisë rekomandon rishikimin e parametrave të skemës së pensioneve, me qëllim kontrollin e mbështetjes së drejtpërdrejtë të saj nga buxheti i shtetit; zhvillimin dhe promovimin e shtyllës së dytë dhe të tretë të pensioneve, përmes mekanizmave fiskalë dhe rregullatorë nxitës; si dhe integrimin e analizës së rreziqeve demografike dhe fiskale në kuadrin afatmesëm të programimit buxhetor, në përputhje me praktikat më të mira të BE-së,” – deklaroi Zëvendësguvernatorja Luljeta Minxhozi në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave në Kuvendin e Shqipërisë.
Nga shtylla e parë, drejt ndërtimit të shtyllës së dytë dhe të tretë
Aktualisht, sistemi i pensioneve në Shqipëri mbështetet vetëm mbi shtyllën e parë, që është pensioni shtetëror i detyrueshëm dhe administrohet nga skema e sigurimeve shoqërore. Ekzsiton po ashtu edhe shtylla e tretë. Ndërkohë, në vendet e rajonit dhe të BE-së, sistemi përbëhet nga tre shtylla komplementare:
Shtylla e parë: pensioni publik i detyrueshëm, i financuar nga kontributet e sigurimeve shoqërore;
Shtylla e dytë: pensioni privat i detyrueshëm, i administruar nga fonde private por i rregulluar dhe mbikëqyrur nga shteti;
Shtylla e tretë: pensionet private vullnetare, ku çdo individ investon sipas dëshirës dhe mundësive të tij, duke përfituar lehtësira fiskale.
Në Shqipëri, shtylla e tretë ka filluar të zhvillohet prej më shumë se 20 vitesh. Aktualisht, rreth 100 mijë qytetarë janë anëtarë në fondet e pensioneve private dhe një pjesë e tyre kanë filluar të marrin pagesat mujore nga pensioni i tyre privat.
Pse duhen pensionet private?
Ekspertët theksojnë se pensionet private janë shtesë mbi pensionin shtetëror dhe i japin individit mundësinë të garantojë një të ardhme më të qëndrueshme pas moshës së punës. Nëse një qytetar investon në fondet private, ai jo vetëm që përfiton lehtësira fiskale, pasi shuma e investuar përjashtohet nga taksat deri nëse është deri në 480.000 Lekë por garanton edhe siguri të plotë, pasi fondet e pensioneve investohen kryesisht në bono thesari shtetërore, që janë 100% të garantuara.
Një tjetër avantazh i rëndësishëm është trashëgueshmëria: ndryshe nga pensioni shtetëror, pensioni privat mund të trashëgohet nga familjarët, në rast se përfituesi humbet jetën para përfundimit të periudhës së pagesës.
Për emigrantët dhe qytetarët që nuk kanë vite pune të mbuluara
Edhe emigrantët shqiptarë mund të investojnë me shumë përfitueshmëri në skemat e pensioneve private, qoftë për veten e tyre, qoftë për familjarët. Shqipëria po vuan nga emigrimi në Shifra të mëdha, por remitancat, paratë që emigrantët sjellin në vendin e origjinës mund të orientohen edhe drejt investimeve dhe sigurisë financiare, jo vetëm ndërtimit dhe konsumit. Në disa raste, individë që kanë investuar 50–100 mijë euro kanë përfituar interesa të larta në një periudhë 10–15 vjeçare të pandërprerë, duke siguruar një pension mujor të qëndrueshëm për shumë vite dhe pas 15 vjetësh kanë tërhequr të plotë shumën.
Nevoja për shtyllën e dytë
Kosova, Maqedonia e Veriut, Kroacia apo Bosnja e kanë shtyllën e dytë të pensioneve private të detyrueshme, Shqipëria bazohet vetëm te kontributi vullnetar privat, shtylla e tretë.
Kjo mungesë, sipas ekspertëve, e bën sistemin tonë më pak efikas dhe më pak të qëndrueshëm në afatgjatë.
Nëse Shqipëria do të kishte ngritur tashmë një fond të dytë të detyrueshëm, duke ndjekur një shembull shumë të qartë dhe të arritshëm si Maqedonia e Veriut, investimet në tregun financiar do të kishin arritur 6–7 miliardë euro, duke krijuar një burim të ri zhvillimi ekonomik dhe pensione suplementare për qytetarët që mund të kalonin 400–500 euro në muaj.




