Vendi ynë është një vend i dalluar në Europë për aktivitetin e tij sizmik, i cili ndodh kryesisht në disa breza sizmogjen siç është ai Adriatiko-Jonian, brezi Korçë-Ohër-Peshkopi dhe brezi Vlorë-Lushnje-Elbasan-Dibër.
Në historinë e vendit tonë janë regjistruar tërmete të forta që kanë shkatërruar qindra banesa e kanë marrë qindra jetë njerëzish.
Afërsisht, çdo vit në Shqipëri shkaktohen 4-5 tërmete me forcë 6 ballë dhe çdo 25 vjet shkaktohet 1 tërmet me forcë afro 9 ballë, duke e bërë kështu Shqipërinë një rajon me aktivitet të lartë sizmik.
Nga lashtësia njihen si tërmete më të fuqishme ai i Apolonisë në vitin 217 e.s., në Durrës në vitet 334 dhe 506 të erës sonë, si dhe në vitin 1273.
Gjithashtu përmenden dhe tërmetet e Butrintit në vitin 1153 dhe të Krujës në vitin 1617.
Nga studimet e pakta që kanë ardhur deri në ditët tona rezulton se gjatë shekullit te 19-të në Shqipëri janë ndjerë 77 tërmete me mbi 7 ballë.
Për të ardhur tek ai i tre viteve më parë, ku humbën jetën 51 persona dhe u plagosën qindra të tjerë. Pa harruar edhe dëmet e mëdha materiale.
Tërmetet më të fuqishëm që kanë goditur Shqipërinë:
- Vlorë më 12 tetor 1851, duke shkaktuar 20 të vrarë.
- Tërmeti më i madh në Shqipëri është regjistruar në Berat, më 17 tetor 1851, duke shkaktuar 400 të vrarë në Kala.
- Shkodër në muajt shkurt-tetor 1855, 12 tërmete që u ndjenë dhe në Delvinë dhe Bari të Italisë.
- Shkodër më 1 qershor 1905, që shkaktoi 1500 shtëpi të shkatërruara, 200 të vrarë dhe 500 të plagosur
- Tepelenë, më 20 nëntor 1920, duke shkaktuar 36 të vrarë dhe 102 të plagosur. Ai shkatërroi 2 500 shtëpi e la pa strehë 15 000 veta.
- Peshkopi më 24 gusht 1924, duke shkatërruar afro 80 % të shtëpive, 44 të vrarë dhe 119 të plagosur,
- Vlorë-Tepelenë më 21 nëntor 1930, duke shkaktuar 30 të vrarë e mbi 100 të plagosur.
- Fier-Tepelenë-Berat-Lushnjë, më 18 mars 1962, duke shkaktuar 5 të vrarë e 77 të plagosur dhe ku u shkatërruan 2 700 shtëpi.
- Dibër-Librazhd, më 30 nëntor 1967, duke shkatërruar 177 fshatra, ku gjetën vdekjen 12 veta dhe 174 të tjerë u plagosen. Karakteristike e këtij tërmeti është thyerja e tokës me gjatësi mbi 10 kilometra e zhvendosja vertikale e dheut deri në 50 centimetra.
- Shkodër-Lezhë, më 15 prill 1979, duke dëmtuar 17 118 shtëpi e objekte social-kulturore.
- Roskovec, më 17 nëntor 1982, duke u ndjerë tërmeti edhe në Fier, Librazhd e Berat, ku u shkatërruan 16 534 ndërtesa, u vra 1 person dhe 12 te plagosur.
- Tiranë më 7 janar 1988, u dëmtuan 2083 shtëpi.
- 26 nëntor 2019 do të regjistronte një nga tërmetet më shkatërrimtar në dekadat e fundit, me magnitudë 6,3 ballë sipas shkallës Rihter.
Epiqendra e tërmetit ishte brenda territorit të Qarkut të Durrësit, 30 kilometra nga Tirana.
Për pasojë 51 persona humbën jetën, 913 të tjerë u plagosën, mijëra të tjerë u ndikuan në shëndetin e tyre. 202.291 persona u prekën në vend, ku 47.263 në mënyrë direkte dhe 155.029 në mënyrë indirekte ndërsa 17.000 persona u zhvendosën nga banesat e tyre.
Bashkitë më të prekura ishin Durrës, Shijak, Krujë, Tiranë, Kamëz, Kavajë, Kurbin dhe Lezhë. /Sigurime.Online