Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare (AMF) publikoi ditën e sotme raportin mbi ecurinë e tregut të sigurimeve në Shqipëri për 4-mujorin e parë 2023.
Sipas raportit, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për muajin janar-prill 2023 kapën vlerën 6,819 milionë lekë, ose 16.75% më shumë se në janar-prill 2022.
Gjatë së njëjtës periudhë numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 384,225 me një rritje prej 14.31% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tregu shqiptar i sigurimeve mbetet i orientuar tek Sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 91.67% të vëllimit të përgjithshëm të primeve ndërsa Sigurimet e Jetës 8.31%.
Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 46.69% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 53.31% të totalit të tregut.
Gjatë 4-mujorit të parë 2023, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 2,108 milionë lekë, ndikuar kryesisht nga efektet e dëmeve në sigurimin e pronës.
Për të mësuar gjithçka rreth tregut të sigurimeve në Shqipëri për 4-mujorin e parë 2023 klikoni KËTU.