Risitë teknologjike nuk ndalen dhe më të fundit e ka lajmëruar rrjeti WhatsApp, i cili ka planifikuar të lejojë përdoruesit të modifikojnë mesazhet deri në 15 minuta pas dërgimit.
Ky funksion do të vihet në dispozicion për 2 miliardë përdorues të WhatsApp-it në javët e ardhshme. WhatsApp numëron Indinë si tregun e saj më të madh, me 487 milionë përdorues.
“Nga korrigjimi i një gabimi të thjeshtë drejtshkrimor deri tek shtimi i kontekstit shtesë në një mesazh, ne jemi të ngazëllyer që t’ju sjellim më shumë kontroll mbi bisedat tuaja. Gjithçka që duhet të bëni është të mbani shtypur mesazhin e dërguar dhe të zgjidhni opsionin “Ndrysho” nga menyja deri në pesëmbëdhjetë minuta”, tha në një deklaratë WhatsApp.
Mesazhet e modifikuara do të etiketohen si “të redaktuara”, kështu që marrësit janë të vetëdijshëm se përmbajtja është ndryshuar.
Megjithatë, atyre nuk do të tregohet se si mesazhi është modifikuar me kalimin e kohës.