13.5 C
Tirana
Thursday, November 21, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetTregu “i ngrirë” i sigurimeve/ Ponari: Politikat jo vetëm që nuk i...

Tregu “i ngrirë” i sigurimeve/ Ponari: Politikat jo vetëm që nuk i nxisin sigurimet, por shpesh luajnë rol frenues

Avni Ponari, Drejtor i Përgjithshëm i SIGAL UNIQA Group Austria, në një intervistë për revistën “Monitor” shprehet se tregu shqiptar i sigurimeve mbetet një treg i vogël dhe i varfër.

Njerëzit vazhdojnë të kenë të njëjtin mentalitet si para 30 vjetësh dhe të mendojnë se shteti duhet të jetë kujdestar për gjithçka. Nëse i digjet apo përmbytet shtëpia, qytetari shkon te dera e kryetarit të bashkisë, nëse bie tërmet, do të kërkojë zgjidhje nga qeveria.

Nga ana tjetër, qeveria merr përsipër t’i bëjë vetë të gjitha, edhe në raste përmbytjesh, edhe në raste tërmetesh e kështu me radhë.

Në këto kushte, është e kuptueshme që tregu i sigurimeve mbetet ai që ka qenë: i vogël, i varur nga sigurimet motorike dhe pa shumë interes nga investitorët”, shprehet z. Ponari.

Sipas CEO-s të SIGAL UNIQA, zhvillimi i këtij tregu do të kërkonte reforma të thella dhe një bazë ligjore që të nxisë sigurimin.

Franca është ndër vendet më të zhvilluara në botë dhe ka mbi 40 lloj sigurimesh që, direkt apo indirekt, i shtyjnë njerëzit të sigurohen për të qenë të mbrojtur. Fusha të tilla janë sigurimet e përgjegjësive në shërbimin ushqimor dhe të restoranteve, në mjekësi, etj. Nëse ka një ligj për sigurimin e përgjegjësive civile, të gjithë ata që kanë aktivitete me rrezik të lartë, për shembull, pikat e shitjes së gazit të lëngshëm, do të sigurohen.

Përgjegjësia civile është një përgjegjësi e madhe dhe këtu ka shumë për të bërë. Qoftë në përcaktimin e rreziqeve, qoftë në përcaktimin e limiteve të përgjegjësisë për rastet. Siç është TPL përgjegjësi ndaj palëve të treta, ashtu janë edhe profesionet dhe gjithçka tjetër që mbart rrezik për të tjerët. Pra, nëse duam të zhvillojmë tregun e sigurimeve dhe t’u japim siguri më të madhe njerëzve, këto reforma janë të domosdoshme.

Është shteti që, në rolin e rregullatorit, ndërton këto skema dhe mbron qytetarin nga gabimet e mjekut dhe mjekun nga përgjegjësia individuale, mbron bizneset për kostot që mund t’i vijnë nga dëmet e shkaktuara për të tretët, e kështu me radhë”, shprehet ai.

Sipas z. Ponari, një shembull flagrant është mungesa e sigurimit në sektorin e energjisë elektrike për dëmet e shkaktuara ndaj të tjerëve.

“Sot, qytetarët nuk janë të mbrojtur nga dëmet që mund të shkaktojnë luhatjet e tensionit apo mungesa e tij. Kontratat e shitjes janë të njëanshme dhe OSHEE as do t’ia dijë se çfarë përgjegjësish burojnë nga ndryshimi i tensionit apo mungesa e tij. Kjo duhet rregulluar me ligj, duke përcaktuar nivelet e pagesave dhe limitet e përgjegjësive”, thotë z. Ponari.

Ai mendon se politikat, jo vetëm që nuk i nxisin sigurimet, por shpesh luajnë rol frenues.

“Për shembull, në Shqipëri sot paguhet taksë mbi primin e sigurimeve shëndetësore. Pra, një punonjës që paguan sigurimin e detyrueshëm shëndetësor në shtet, ne e taksojmë edhe kur bën një sigurim shëndeti privat. Pra, ne nuk i japim asnjë incentivë qytetarit të sigurojë shëndetin.

Sot, një numër shumë i madh qytetarësh marrin shërbim në institucionet shëndetësore private, pikërisht falë sigurimit të shëndetit. Kjo heq një barrë të konsiderueshme nga shërbimi shëndetësor publik, por mesa duket, politikat shëndetësore nuk e vlerësojnë këtë fakt.

Shteti duhet ta shohë sigurimin si një zgjidhje dhe nuk ka nevojë të shpikim asgjë në këtë drejtim. Modelet janë, ne duhet vetëm të zgjedhim. Nëse do të arrijmë të ndërtojmë një sistem sigurimesh shëndetësore të kombinuara, do të arrijmë të sigurojmë edhe shërbim më të mirë për publikun”.

Sipas tij, e njëjta logjikë vlen edhe për pensionet. Nëse pensionit publik i shtohet edhe një pension privat, atëherë pensionistët do të kenë të ardhura të mjaftueshme për një jetesë dinjitoze në pleqëri.

LEXO EDHE“Një mik i cili na ndihmon të ecim së bashku…”/ Gazetari i njohur: Tre arsyet pse zgjodha SIGAL UNIQA Fond Pensioni

Shqipëria, shpenzimet më të ulëta në rajon për sigurime

Sipas ekspertëve, arsyet pse tregu i sigurimeve nuk tërheq shumë investitorë të rinj, duhen parë, në radhë të parë, nga madhësia e tij modeste dhe shpenzimet e ulëta për t’u siguruar, në terma mesatarë. Për vitin 2022, primet e shkruara bruto arritën një vlerë totale prej 21 miliardë lekësh, ose rreth 181 milionë euro.

Me një prim mesatar sigurimi prej afërsisht 62 eurosh për frymë, Shqipëria ngelet një ndër tregjet me densitetin më të ulët të sigurimeve në Europë.

Për një krahasim koherent me vendet e tjera mund t’u referohemi të dhënave të vitit 2021, treguesi i densitetit të sigurimeve ishte rreth 55 euro prime të shkruara bruto për frymë në vit. Në Europë, vetëm Moldavia e kishte këtë tregues më të ulët, me rreth 37 euro për frymë.

Shqipëria mbetet mbrapa në densitetin e sigurimeve në popullsi edhe krahasuar me vendet fqinje të Ballkanit Perëndimor. Kosova raportoi prime të shkruara bruto në vlerën e rreth 62 eurove për frymë, Maqedonia e Veriut, rreth 89 euro për frymë, Bosnjë-Hercegovina, 127 euro për frymë, Serbia, 145 euro për frymë dhe Mali i Zi, 159 euro për frymë.

Për krahasim, në vendet e Bashkimit Europian, primi mesatar i sigurimit për frymë është afër nivelit të 2100 eurove, ose 38 herë më shumë se Shqipëria.

Për vitin 2021, volumi i tregut të sigurimeve në Shqipëri, sipas primeve të shkruara bruto, ishte afërsisht sa 1.1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Edhe sipas këtij treguesi, të njohur ndryshe si penetrimi i tregut të sigurimeve, Shqipëria ka tregun më të vogël të sigurimeve në rajon.

Para Shqipërisë, renditet Maqedonia e Veriut, ku tregu i sigurimeve ka një volum të primeve të shkruara bruto sa 1.35% e PBB-së. Vijojnë Kosova, me 1.5% të PBB-së, Serbia, me 1.7% dhe Bosnjë-Hercegovina, me 1.85% të PBB-së.

Tregu i rajonit me penetrimin më të lartë të sigurimeve është Mali i Zi, ku primet e shkruara bruto përbëjnë 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Rajoni ynë, megjithatë, mbetet ende shumë larg niveleve mesatare të Bashkimit Europian, ku primet e shkruara bruto përbënin 7.4% të PBB-së.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat