Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi bëri me dije se qeveria ka miratuar një marrëveshje që do të nënshkruhet të premten, sipas së cilës shtetasit nga Kosova do të marrin leje qëndrimi me afat 5-vjeçar me një aplikim dhe pa dokumente.
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë që nga viti 2014 mbajnë mbledhjet e përbashkëta ku premtohet në vazhdimësi për bashkëpunim të ndërsjellë dhe nënshkruhen marrëveshje në fusha të ndryshme.
Këto marrëveshje kanë pasur për qëllim një qeverisje të përbashkët strategjike, në veçanti eliminimin e barrierave tregtare mes dy shteteve.
Por, shumë herë qeveritë janë kritikuar se marrëveshjet e nënshkruara kanë mbetur vetëm në letër, pa u zbatuar në praktikë.
Në Kosovë institucionet nuk ka ndonjë të dhënë të publikuar se sa këto marrëveshje janë zbatuar në praktikë.
Në mbledhjen e fundit në Tiranë është nënshkruar edhe një deklaratë e përbashkët ndërmjet dy qeverive dhe Këshillit të ministrave të Republikës së Shqipërisë, për t’i rekomanduar Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Shqipërisë mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në mes të dy qeverive.