Nuk ka ditë që mediat e huaja të mos shkruajnë për turizmin në Shqipëri, duke i bërë jehonë si një vend ideal për të kaluar pushimet e verës që janë pranë.
Këtë herë është edhe media australiane “Delicious“, e cila e vendos vendin tonë krahas destinacioneve më të mira për këtë vit nisur nga bukuritë e natyrës, me plazhet magjepsëse, malet e deri tek kostot shumë më të lira krahasuar me të tjera destinacione turistike në Europë.
“Shqipëria është një vend me një histori të larmishme, pasi ka qenë pjesë e perandorive romake dhe osmane përpara se të binte nën kontrollin komunist dhe sundimin 40-vjeçar të Enver Hoxhës.
Secila prej kësaj periudhe ka lënë gjurmë në vend si në aspektin social ashtu edhe në atë arkitekturor. thuhet në shkrim. Qytete ku udhëtarët e huaj do të mund të gjejnë gjurmë historike janë ai i Gjirokastrës, qyteti i Beratit, Korçës dhe ai i Shkodrës.
Me një vijë bregdetare prej 476 kilometrash, Shqipëria ofron shumë vendpushime mahnitëse. Plazhi i Ksamilit është një nga më të njohurit, i cili shpesh është krahasuar me destinacionet më ekzotike në botë”, shkruan ndër të tjera media australiane.
Sipas saj, Shqipëria nuk mund të jetë destinacion vetëm veror, por për ata që duan më shumë qetësi, mund ta vizitojnë edhe jashtë pikut të sezonit.