12.5 C
Tirana
Sunday, November 24, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetShqipëria e rrezikuar, bujqësia e pasiguruar / Ponari: Kompanitë e sigurimeve në...

Shqipëria e rrezikuar, bujqësia e pasiguruar / Ponari: Kompanitë e sigurimeve në Shqipëri, të standarteve evropiane. Të gatshme të marrin përsipër rreziqet

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe Bankën Botërore organizoi ditën e sotme në Tiranë, Konferencën Ndërkombëtare me temë “Zhvillimi i Sektorit të Sigurimeve – Mundësitë dhe Sfidat në Evropën Juglindore”.

Në konferencë u diskutua për “Mundësitë dhe sfidat për zhvillimin e sektorit të sigurimeve në Evropën Juglindore”, “Roli i sigurimeve në menaxhimin e riskut të katastrofave” dhe “Sfidat për zhvillimin e sigurimeve në bujqësi”.

Panelistët, përfaqësues të nivelit të lartë të Qeverisë Shqiptare, institucionet financiare ndërkombëtare, autoritetet mbikëqyrëse financiare dhe pjesëmarrës të tregut vendas dhe ndërkombëtar, ndan mendimet dhe eksperiencat e tyre në lidhje me tregun e sigurimeve, praktikat botërore dhe nevojën për diversifikimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të sigurimeve në rajon dhe në Shqipëri.

I ftuar në konferencë ishte edhe CEO i “SIGAL UNIQA Group Austria”, z. Avni Ponari, i cili ishte pjesë e seksionit me temë “Sfidat për zhvillimin e sigurimit të bujqësisë dhe blegtorisë”

Gjatë fjalës së tij, CEO i Grupit “SIGAL UNIQA” u ndal te tregu i sigurimeve në Shqipëri dhe rajon duke u shprehur se ato tashmë kanë ekspertizën dhe përvojën për të operuar njësoj si çdo treg tjetër në Evropë.

Nuk është e lehtë të flasësh pas këtyre eskpertëve megjithatë do mundohem të nxjerr diçka nga aktiviteti dhe përvoja ime në industrinë e sigurimeve, që nga fillimi i saj për të kuptuar çfarë është e mundur dhe çfarë duhet bërë.

SIGAL UNIQA është pjesë e një grupi të madh austriak. Prej vitit 2007 dy investitorë strategjikë, Vienna Insurance Group dhe UNIQA Insurance Group janë në të gjithë rajonin përmes dy kompanive shqiptare duke garantuar tregjet në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Dhe kjo i ka bërë këto tregje më efikase dhe të punojnë me standarte evropiane”, u shpreh z.Ponari.

Sipas tij, industria e sigurimeve në vendin tonë ka tashmë eksperiencën dhe aftësinë paguese për të marrë përsipër edhe rreziqet në bujqësi, ashtu si sigurimet katastrofike dhe sigurimet e tjera.

Industria e sigurimeve në Shqipëri, për ekspertizën, eksperiencën, aftësinë paguese do të thoja që është e standarteve më të mira që mund të ketë një treg sigurimesh”, tha ndër të tjera themeluesi dhe drejtuesi i “SIGAL UNIQA Group Austria”.

Bujqësia është një nga sektorët e rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, e cila, në masë të madhe, është e ekspozuar ndaj kushteve atmosferike, të nxitura edhe si pasojë e ndryshimeve klimatike.

Ndaj Sigurimi i Bujqësisë është një mjet i rëndësishëm i menaxhimit të rrezikut që ndihmon fermerët të mbrohen nga humbjet financiare për shkak të fatkeqësive natyrore dhe kushteve klimatike.

Dhe sipas z.Ponari, kompanitë e sigurimeve në Shqipëri janë të gatshme të marrin përsipër edhe rreziqet në këtë sektor.

“Duke qenë në këto pozita, edhe në fushën e bujqësisë ka të gjitha mundësitë që të organizojë dhe ta drejtojë atë me shumë sukses. Të organizojë dhe drejtojë edhe sigurimet katastrofike, edhe sigurimet e tjera, të cilat janë në procese diskutimi dhe për të cilat ne kemi mendimet tona, për shkak të eksperiencës sonë”.

Ajo që dua të them dhe që është e rëndësishme, tregu i sigurimeve në Shqipëri, sigurimet në bujqësi, sigurimet vullnetare, shëndeti, pasuria janë sigurime me specifika të ndryshme në çdo vend. Secili vend ka specifikat e tij. Ashtu si çdo rreth në Shqipëri ka specifikat e veta. Unë operoj në tre shtete dhe në të trija shtetet, pavarësisht se produkti ka të njëjtin emër, ai ka brenda specifikat e ndryshme që janë shumë të rëndësishme për çdo vend”, shtoi CEO i “SIGAL UNIQA Group Austria”.

SIGAL UNIQA Group Austria ka kryer një studim, i cili tregon sa është vlera totale e aseteve të sigurueshme në bujqësinë dhe blegtorinë shqiptare dhe sa është primi vjetor për sigurimin e tyre.

Ne kemi bërë një hulumtim dhe rezulton se totali i aseteve bujqësore që mund të sigurohen në Shqipëri është 2.5 miliardë Euro. Ndërsa primi vjetor për sigurimin e tyre është 80 milionë Euro”.

Kërcënimet në sektorin e bujqësisë janë të shumta, duke nisur nga moti, i nxitur edhe nga ndryshimet klimatike. Por në Shqipëri rreziqet kryesore janë breshëri dhe përmbytjet. Sa i përket pool-eve, ato janë evidente dhe të pranishme në të gjithë tregun shqiptar të sigurimeve duke paguar dëme të çdo lloj natyre”, tha z. Avni Ponari.

Pavarësisht se të gjithë panelistët e pranishëm në konferencë dhanë idetë dhe eksperiencat e tyre, sipas vendeve që vinin, të gjithë ranë dakord në një pike: Bujqësi pa sigurime nuk mund të ketë. Dhe pa bashkëpunimin qeveri-kompani sigurimesh-fermerë sigurimet në bujqësi nuk mund të jenë kurrësesi të suksesshme.

LEXO EDHE: 1,5 milion € investim, fermeri në Levan kërkon të shtojë sipërfaqen me shegë/ Por askush nuk flet mbi rreziqet që kërcënojnë bujqësinë

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat