Vdekjet nga aksidentet rrugore në Shqipëri mbeten ndër më të lartat në Europë.
Sipas INSTAT, në vitin 2022, 164 persona humbën jetën nga aksidentet me makinë, ose 59 persona për 1 milion banorë. Kjo shifër është më e lartë sesa mesatarja e Bashkimit Europian prej 46 viktimash për 1 milionë banorë, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat.
Në total, Shqipëria renditet e gjashta, pas Rumanisë që mban rekordin me 86 vdekje për 1 milion banorë, Bullgarisë (78), Kroacisë (71) dhe Portugalisë (60).
Nuk ka të dhëna të fundit për vendet e rajonit, por statistikat e mëparshme referojnë se numri i tyre është më i ulët se në Shqipëri.
Megjithatë një zhvillim pozitiv është se numri i viktimave nga aksidentet rrugore në Shqipëri ka ardhur në rënie të ndjeshme vitet e fundit.
Në 2022 u shënuan 164 humbje jete, që është shifra më e ulët e regjistruar ndonjëherë që nga viti 2000, kur raportohen të dhënat (shiko grafikun: Të vrarë në aksidente rrugore, Shqipëria). Në krahasim me 2077-n, ku u shënua rekordi i viktimave, jetët e humbura janë përgjysmuar në 2022.
Sipas INSTAT, rreth 70-80% e aksidenteve shkaktohen nga drejtuesit e mjeteve. Grupmoshat e reja 25-34 vjeç janë në përgjithësi më të pakujdesshmit.
Vdekjet nga aksidentet rrugore në BE u rritën me 4% në 2022
Sipas Eurostat, 20 653 persona humbën jetën nga aksidentet e trafikut rrugor në Bashkimin Europian gjatë vitit 2022, duke shënuar një rritje prej 4 për qind krahasuar me vitin 2021 (19 917 viktima). Numri i viktimave është rritur për dy vite radhazi pas rënies së paprecedentë në vitin 2020 (18 833), vit ku kufizimet e COVID-19 prekën transportin e pasagjerëve.
Shkalla me e lartë e vdekshmërisë rrugore u regjistrua në Rumani, ndërsa më e ulëta në Suedi.
Në vitin 2022, në BE kishte mesatarisht 46 viktima në trafikun rrugor për 1 milion banorë.
Duke marrë në konsideratë popullsinë e çdo vendi të BE-së, shkalla më e ulët e vdekjeve në rrugë në vitin 2022 u regjistrua në Suedi (22 vdekje rrugore për 1 milion banorë), e ndjekur nga Danimarka (26) dhe Irlanda (31).
Ndërsa normat më të larta u regjistruan në Rumani (86 vdekje rrugore për milion banorë), e ndjekur nga Bullgaria (78) dhe Kroacia (71). /Monitor.