10.5 C
Tirana
Friday, April 26, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetShoqata e Siguruesve kërkon uljen e taksës mbi primin për sigurimet vullnetare

Shoqata e Siguruesve kërkon uljen e taksës mbi primin për sigurimet vullnetare

Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë kërkon uljen e taksës mbi primin për produktet vullnetare të sigurimit jo-jetë, nga 10% që është aktualisht në nivelin 2%.

Me një letër drejtuar qeverisë shqiptare, siguruesit e motivojnë propozimin e tyre me nevojën për të lehtësuar konsumatorin e produkteve vullnetare dhe për të motivuar zgjerimin e mëtejshëm të këtij tregu.

Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, në emër të kompanive të sigurimit, e konsideron thelbësore uljen e taksës mbi primin e sigurimeve vullnetare, si sigurimi i banesave, sigurimi vullnetar i individëve, sigurimi privat i shëndetit etj, duke marrë parasysh veçoritë unike të sigurimit, produktet e tij dhe modelin e tij të biznesit, në mënyrë që siguruesit të vazhdojnë të luajnë rolin e tyre kyç në mbrojtjen e klientëve policëmbajtës, dhe në vlerësimin, menaxhimin dhe reduktimin e rreziqeve.

Për kategorinë e sigurimeve vullnetare të shëndetit, pronës apo sigurimit vullnetar të individëve, primet e sigurimit rezultojnë si një llogaritje të bazuar, ndër të tjera, në probabilitetin e ndodhjes së ngjarjes së siguruar dhe në nivelin e rrezikut që kompanitë e sigurimit janë të gatshme të pranojnë. Prandaj edhe sugjerojmë  uljen e taksës mbi kategoritë e sigurimeve vullnetare jo-jetë, në mënyrë, që edhe kompanitë e sigurimit të kenë mundësi të shmangin çdo rritje të kostove të kontratave të sigurimit për këto kategori. Ulja e taksës mbi primin për sigurimet vullnetare do të sillte një mbështetje për qytetarët, të cilët janë të pambrojtur nga rreziqet shëndetësore dhe materiale, duke lehtësuar indirekt dhe barrën fiskale që përballon shteti shqiptar, pasi këto shpenzime do të mbulohen nga shoqëritë e sigurimeve. Për të rritur penetrimin e sigurimeve vullnetare, heqja e taksës së këtyre produkteve, reduktimi i primeve të aplikuara për policëmbajtësit do të sillte një efekt pozitiv për zgjerimin e tregut të sigurimeve vullnetare jo- jetë”, thuhet në letrën e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë.

Sipas një informacioni krahasues të mbledhur nga Shoqata, në shumicën e vendeve të rajonit dhe Europës taksa mbi primin e sigurimit vullnetar ose nuk aplikohet ose është në nivele shumë të ulëta fakt që ka ndihmuar në rritjen e nivelit të sigurimeve vullnetare në shifra disa herë më të larta se në Shqipëri.

Në Rajon, Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk aplikojnë taksi mbi primet e sigurimt vullnetar.

Në vendet e BE-së, trajtimi fiskal i primeve ka ndryshime të mëdha mes vendeve Nga 31 shtete anëtare të BE-së dhe të Zonës Ekonomike Europiane 11 prej tyre nuk aplikonin taksa mbi primet e sigurimeve vullnetare.

Për 20 vendet që aplikojnë taksa mbi primet, shkalla e taksimit ka diferenca të mëdha. Disa vende i takojnë primet në nivele të ngjahsme me shkallën e TVSH-së dhe taksimi mund të arrijë në nivelin 19% deri në 24%.

Vende të tjera aplikojnë taksa shumë të ulëta (si Irlanda, Luksemburgu dhe Bullgaria), që lëvizin në intervalin mes 2% dhe 4%.

Një grup i tretë vendesh aplikojnë taksa mbi primet të diferencuara në varësi të llojit të sigurimit. Për shembull, në Francë taksa mbi primet aplikohet në intervalin mes 7% dhe 30%, ndërsa në Itali në intervalin me 0.05% dhe 21.25%.

Në Shqipëri, tregu i sigurimeve vullnetare ngelet në përmasa shumë modeste.

Lexo edhe: SIGAL UNIQA, kompania lider në tregun e sigurimeve/ Publikohet raporti i AMF

Mbështetur në të dhënat e AMF, për 9-mujorin 2021 primet e shkruara bruto nga produktet e sigurimit vullnetar në tregun e jo-jetës kishin vlerën e 4.53 miliardë lekëve ose rreth 37 milionë eurove.

Produktet vullnetare përbënin vetëm 34.5% të primeve të shkruara bruto në sigurimet e jo-jetës. Kjo pjesë u takon produkteve ligjërisht vullnetare, megjithëse praktikisht një pjesë e madhe e tyre janë të detyrueshme, për shkak të kërkesave kontraktore nga palët e treta.

Për shembull, sigurimi i pronës në Shqipëri bëhet kryesisht për shkak të detyrimit që bankat iu vendosin kredimarrësve për të siguruar kolateralet e lëna për huatë. Gjithashtu, sigurimet Kasko shkojnë në një pjesë të madhe për të siguruar me detyrimi automjetet e blera me qira financiare.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat