14.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetShifra rekord rastesh të reja, ministria zgjati me një muaj vaksinimin e...

Shifra rekord rastesh të reja, ministria zgjati me një muaj vaksinimin e hapur. Rriten edhe shtrimet në spital

Procesi i vaksinimit kundër COVID-19 do të jetë i hapur edhe përgjatë muajit shtator. Rritja me shpejtësi e shifrave të infeksionit, por edhe hezitimi i qytetarëve për t’u vaksinuar përgjatë këtij muaji ka bërë që autoritetet të zgjasin së paku edhe 30 ditë të tjera periudhën e vaksinimit të hapur.

 Gjatë një dalje të posaçme për mediat, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, apeloi qytetarët ta shfrytëzojnë këtë mundësi, për të mbrojtur shëndetin dhe jetën. “Shtatori do të jetë një muaj vendimtar për të rritur mbulesën vaksinale, ndaj kemi vendosur që sërish të jetë një muaj i hapur për vaksinimet e çdo qytetari mbi 18 vjeç. Le t’i shfrytëzojmë këto ditë për të mbrojtur jetën dhe shëndetin, duke u vaksinuar sa më parë, për të garantuar mbarëvajtjen e vitit të ri shkollor që po afron, të aktiviteteve të biznesit dhe jetës sonë të përditshme”, tha Manastirliu. Sipas të dhënave zyrtare, prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,386,713 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Prej tyre vetëm 594,050 qytetarë i kanë kryer të dyja dozat e vaksinës.

 SITUATA

 Duke folur për situatën epidemiologjike në vend, ministrja vuri në dukje se shifrat e infeksionit janë 5 herë më të larta krahasuar me periudhën e mëparshme, ndërkohë që janë rritur ndjeshëm edhe shtrimet në spital. “Të dhënët epidemiologjike të dy javëve të fundit tregojnë një rritje me rreth 5 herë të rasteve të infektimeve krahasuar me periudhën e mëparshme. Në Spitalin Infektiv ndodhen të shtruar 84 pacientë. Ka prej tyre që janë në gjendje më të rëndë dhe po trajtohen në terapi intensive. E përbashkëta e shumicës së pacientëve që këto ditë gushti, që po vuajnë dhe format më të rënda të sëmundjes, është se nuk janë të vaksinuar. Mjekët që shërbejnë me përkushtim në Spitalin Infektiv raportojnë se përgjatë kësaj periudhe ka pasur edhe disa raste të të shtruarve, të cilët kanë qenë të vaksinuar, por shprehen optimistë për gjendjen shëndetësore të pjesës dërrmuese të pacientëve që janë vaksinuar dhe e kanë përgatitur organizmin për përballjen me virusin”, tha Manastirliu.

 PLANI

Vjeshta do të jetë sprova e radhës. Shumë shtete po përballen me një valë të re të pandemisë. Tregues për këtë nuk janë vetëm rastet e reja por edhe shtrimet në spital, që janë rritur ndjeshëm po ashtu. Manastirliu tha se janë ndërmarrë masat e nevojshme për të përballuar çdo fluks potencial përgjatë muajve në vijim. “Në planin tonë të përballjes me Covid, sipas skenarëve të hartuar nga ekspertët tanë, kemi parashikuar të gjitha masat dhe ndërhyrjet, për t’iu përgjigjur me kapacitete të fuqizuara, në të gjitha nivelet e sistemit tonë shëndetësor situatës dinamike të epidemisë së Covid19. Jemi përgatitur të shtojmë stafet në shërbim të testimit dhe vaksinimit, si edhe të trajtimit të pacientëve që do të kenë nevojë për kujdes mjekësor. Në Institutin e Shëndetit Publik po rrisim kapacitetet e testimit me aparatura të reja laboratorike. Flota e autoambulancave të Urgjencës Kombëtare do të shtohet sërish me 20 autoambulanca të reja, për t’iu përgjigjur edhe më shpejt, edhe më mirë, flukseve potenciale në muajt e ardhshëm”.

RASTET

Ndërkohë, kurba e infeksionit vijon të rritet. Vetëm në 24 orët e kaluara janë raportuar 800 persona të prekur nga më shumë se 5 mijë testime të kryera. Shpërndarja e rasteve të reja është thuajse në të gjithë vendin. Aktualisht janë 6433 pacientë aktivë me COVID-19 në të gjithë vendin. Veç Tiranës, një ndër qarqet më të prekura është edhe Shkodra. Drejt mbushjes po shkon edhe Spitali Infektiv, ku dje numri i pacientëve të shtruar ka shkuar në 90. “Në Spitalin Infektiv po marrin trajtim 90 pacientë. Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit kanë ndërruar jetë dy qytetarë: një qytetar 62 vjeç nga Lezha dhe një qytetar 72 vjeç nga Saranda”, ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë.

 

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat