Të paktën tre punëtorë humbën jetën pas shembjes së një skele në një kantier të madh ndërtimi në qytetin e rëndësishëm gjerman të Hamburgut.
Disa persona janë zhdukur nën strukturë, ndërsa autoritetet urdhëruan evakuimin e të gjithë zonës ku në ato momente ndodheshin rreth 700 vetë, shkruajnë mediat vendase.
Skela ra në boshtin e ashensorit.
Fillimisht u raportua për 5 të vdekur, por më pas numri u rishikua ne tre.
Aksidenti ka ndodhur në Hafencity, zona e një projekti të madh të rizhvillimit të ish-pjesës së portit të Hamburgut. Aty është parashikuar projekt i ri me godina biznesesh, banimi dhe argëtimi i cili do të përfshijë gjithashtu një terminal shtesë anijesh lundrimi.
Punëtorët që vdiqën ishin duke ndërtuar boshtin e ashensorit kur skela u shemb duke zënë poshtë të paktën tetë prej tyre, sipas dëshmitarëve okularë.
“HafenCity”, në brigjet e lumit Elba, ka qenë dikur një zonë e varfër por është rizhvilluar në atë që konsiderohet si një projektet më të mëdha të rigjenerimit urban të Europës.