Çmimet e banesave kanë vijuar rritjen edhe në gjysmën e parë të këtij viti sipas raportit të fundit të Bankës së Shqipërisë.
Në raport thuhet se sipas Indeksit Fischer çmimi i apartamenteve në Shqipëri u rrit me 0.5% në gjysmën e parë të këtij viti, krahasuar me 6-mujorin e kaluar dhe me 6.7% krahasuar me një vit më parë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në 6-mujorin e dytë të 2020 çmimet e banesave ishin rritur me 6.2% krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm dhe me 11.3% me bazë vjetore.
Ndërsa duke krahasuar me vitin 2013, çmimet e banesave në Shqipëri janë rritur me 49.4%
Tendenca e rritjes së çmimeve të banesave është konstatuar dhe në kryeqytet, ku çmimet janë rritur me 3.4% krahasuar me 6-mujorin e dytë të 2020, me 5.8% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar dhe me 51.7% krahasuar me periudhën bazë, viti 2013.
Çmimet mesatare në Tiranë janë rritur në zonat periferike dhe jashtë qytetit, ndërkohë për vendet bregdetare subjektet kanë raportuar çmime më të ulëta, ndërsa për zonat e tjera ndryshimet e çmimeve kanë qenë të papërfillshme.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se në trend rritje rezulton edhe kredia për blerjen e pronave nga individët dhe agjentët e tregtimit raportojnë rënie të numrit të pronave të pashitura.
Për sa i përket ofertës në tregun e pasurive të paluajtshme, kredia për ndërtim shënoi rritje në krahasim me 6-mujorin e kaluar dhe ndaj një viti më parë. Madje banka evidenton se numri i lejeve të ndërtimit të dhëna gjatë tremujorit të parë të 2021 ishte më i lartë ndaj të njëjtës periudhë një vit më parë. Kjo periudhë përkon me kohën para zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri.
Lexo edhe: Sa shumë Sigurim Prone më nevojitet