Bazuar në të dhënat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, pensioni mesatar në vendin tonë për vitin 2021 fiksohet pranë rreth 13.981 lekëve.
Kaq të ardhura ka në muaj një pensionist mesatar shqiptar, duke pasur parasysh edhe hendekun e madh mes pensionit urban dhe atij rural.
Por, sa të mjaftueshme janë këto të ardhura në muaj për një pensionist shqiptar?
“Scan Intelligence Unit” është përpjekur të bëjë një përllogaritje të përafërt të peshës që zë shporta e ushqimeve mbi pensionin mesatar. Kjo përllogaritje është bërë mbi bazën e raporteve të ndryshme të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Ministrisë së Shëndetësisë gjermane dhe asaj spanjolle sa i përket një diete ushqimore bazike të shëndetshme në muaj për një të rritur në moshën e pensionit.
Kjo shportë ushqimesh mujore konsiston në: bukë, oriz, vezë, qumësht, kos, djath, mish pule dhe viçi, peshk, fruta, perime, vaj dhe miell.
Duke llogaritur të gjithë nevojën mujore të një individi të rritur në moshë pensioni, bazuar në çmimet mesatare aktuale në vendin tonë për këtë shportë ushqimesh, atëherë, totali shkon në 12.515 lekë.
Në këtë shportë përfshihen vetëm produktet bazike, pra mungojnë produkte të tjera se: sheqeri, kafja, etj.
Studime të ndryshme nga vendet e tjera tregojnë se, shporta bazë e ushqimeve, e njëjta me përllogaritjen tonë, për vendet më të zhvilluara të globit, si: Norvegjia, Austria, Franca, SHBA, Gjermania, Italia, Zvicra, etj, “fatura” e shportës bazë të ushqimeve zë më pak se 20% të pensionit mesatar.
LEXO EDHE: Pensionet private, mënyra e vetme për rritjen e pensioneve në Shqipëri