Pesha e ndërtesave të Nju Jorkut jo vetëm që bën që qyteti të fundoset nga një deri në dy milimetra në vit, por gjithashtu e bën atë të prekshëm nga fatkeqësitë natyrore, sipas studimeve më të fundit të cilat theksojnë se Manhatani i Poshtëm është veçanërisht i prekur, por ka gjithashtu shqetësime për Brooklyn dhe Queens.
Studiuesit amerikanë llogaritën masën kumulative të më shumë se një milion ndërtesave në rreth 764.000.000 tonë, dhe më pas e ndanë të gjithë hapësirën në sipërfaqe prej 100 metrash katrorë dhe kështu llogaritën presionin në secilën zonë.
Gjithashtu është llogaritur edhe shpejtësia me të cilën fundoset secila prej këtyre zonave, por studiuesit nuk kanë marrë parasysh peshën kumulative të urave, hekurudhave, rrugëve dhe strukturave të tjera në atë përllogaritje, që do të thotë se të dhënat që ata kanë japin vlerat më të lehta.
Presioni i ushtruar në tokë po çon tashmë në deformime, në të njëjtën mënyrë që vërehet në pllakat tektonike në rastin e shkrirjes së akullnajave, të cilat, siç vlerësojnë ata, mund të sjellin probleme për 8.4 milionë banorët e metropolit. Nju Jorku përballet me sfida të konsiderueshme për shkak të rrezikut nga përmbytjet. Kërcënimi i rritjes së nivelit të detit është tre deri në katër herë më i madh se mesatarja globale përgjatë bregut të Atlantikut të Amerikës së Veriut.
New York Times shkruan për një fat të ngjashëm, por më të vështirë të kryeqytetit indonezian, Xhakartës, i cili, sipas ekspertëve vendas, ka shumë probleme, një prej të cilave është se po fundoset me një ritëm shumë më të shpejtë se Nju Jorku. Disa pjesë të qytetit po fundosen më shumë se 30.48 cm, prandaj parashikimet thonë se të paktën një e katërta e kryeqytetit indonezian, nëse asgjë nuk ndryshon, do të jetë nën ujë deri në vitin 2050.
Prandaj, një pjesë e madhe e 30 milionë banorëve të Xhakartës do të duhet të zhvendosen në të ardhmen e afërt. Rritja e nivelit të detit kërcënon një nga qytetet me popullsinë më të dendur në botë, me 10 milionë njerëz që jetojnë në një zonë sa gjysma e madhësisë së Nju Jorkut dhe 20 milionë të tjerë në rajonin përreth.
Presidenti i Indonezisë miratoi vendimin për të zhvendosur me ligj kryeqytetin e vendit vitin e ardhshëm. Kryeqyteti i ri, tani në ndërtim e sipër, quhet Nusantara. Ai po ndërtohet nga themeli, rreth 1300 kilometra nga Xhakarta. Ndryshe nga Xhakarta, e cila është në Java, një rajon që ka dominuar prej kohësh politikën dhe ekonominë e vendit, Nusantara është në Borneo, ku banorët ndiheshin të lënë pas dore.