Pensionistët e vuajnë rritjen e çmimeve më shumë se sa pjesa e tjetër e popullatës, pasi buxheti i tyre mujor është më tepër i përqendruar në blerjen e ushqimeve, që janë shtrenjtuar ndjeshëm, sesa të mallrave dhe shërbimeve të tjera të tilla si arsimi dhe argëtimi etj.
Anketa e buxhetit të familjeve tregon se nga shpenzimet totale mujore 41.3% shkuan për ushqime më 2021, kurse për moshat në pension pesha e ushqimeve është 59% e shpenzimeve mujore.
Sipas INSTAT, gjatë periudhës qershor 2022- qershor 2023 treguesi zyrtar i inflacionit në vendin tonë ishte 6.9%, ndërsa inflacioni i pensionistëve ishte 8.6%, ose 1.7 pikë % më i lartë se treguesi mesatar.
Në shportën e pensionistëve shpenzimet për shërbimet arsimore janë zero, ndërsa për popullatën e përgjithshme janë 3%.
Argëtimi dhe kultura zënë 1% të shpenzimeve mujore të pensionistëve, ndërsa të mesataren e popullsisë 2.8%.
Të ardhurat nga pensioni për moshën e tretë janë shumë të ulëta në vendin tonë. Të dhënat zyrtare nga skemat publike të pensioneve tregojnë se pensioni mesatar në Shqipëri është 39% më i ulët se në Rajon këtë vit.
LEXO EDHE: ‘Koha të mendojmë për një pension privat’
Por pavarësisht këtyre të dhënave dhe krizës që po kalon skema publike e pensioneve vetëm 2.8% e të punësuarve në vend kontribuojnë vullnetarisht në skemat private të pensioneve.
Për përfaqësues të tregut kjo vjen si pasojë e njohurive të pakta që qytetarët kanë në këtë drejtim.
“Thjesht ideja që kursen taksa sot është benefiti i parë i cili për disa vite rresht është një shumë e madhe. Nëse ti paguan 16 mijë lekë në muaj, për 20 vite mund të kesh kursyer 15 mijë euro taksa.
Kolona e dytë, e cila ka benefite për ekonominë për shoqërinë. Kur del në pension do marrësh nga shteti pensionin minimal, do marrësh nga kolona e dytë, pensionin nga punësimi, i cili është deri në 40% të pagës tënde dhe pensioni privat 20-40%.
Evropa s’ka pensione më të larta, por ka tre pagesa pensionesh ndërsa ne vetëm një”, sqaron Elvis Ponari, kryetar i Shoqatës së Siguruesve të Jetës, Pensioneve Private dhe Fondeve të Investimit dhe njëherazi CEO i Fondit më të madh të pensioneve private vullnetare në Shqipëri, SIGAL UNIQA Fond Pensioni.
Pas “dritës jeshile” në komisionet përkatëse parlamentare, projektligji për pensionet private u votua edhe në seancë plenare pak ditë më parë.
Veç krijimit të një kolone tjetër në skemën aktuale të pensioneve, baza e re ligjore ofron më shumë lehtësi në taksa si për të punësuarit, ashtu edhe për punëdhënësit.