Ndryshime të tjera kërkohen në Kodin Rrugor, por që këtë herë ofrojnë lehtësim për drejtuesit e autoveturave. Disa amendime të iniciuara nga një grup deputetësh të PD kanë nisur diskutimin në parlament.
Ndryshimet parashikojnë përgjysmimin e gjobave maksimale, heqjen e postblloqeve abuzive të policisë në rrugë, heqjen e detyrimit për rinovimin e patentës deri në moshën 55 vjeç dhe rritjen e shpejtësisë së lëvizjes në rrugët e klasifikuara si autostradë nga 110 km/h në120 km/h.
LEXO EDHE: Aksidentet/ 200 pacientë në ditë paraqiten në Spitalin e Traumës
Për ekspertin e sigurisë rrugore, Artur Sulçe, shpejtësia konsiderohet e rrezikshme, por në autostrada ku ka një përmirësim të dukshëm të infrastrukturës rrugore, vendosja e limitit 120 km/h, jo vetëm konsiderohet e mundur, por madje e nevojshme për të kursyer kohë.
Ndërsa propozohet ulja me 50% e gjobave maksimale, kreu i shoqatës së transportit ndërqytetas, Kujtim Mema, sugjeron se për shkelje të vogla duhen zbutur edhe dënimet e tjera, si heqja e patentës për 6 muaj.
Trafiku, shpejtësia, lejedrejtimet, etj. janë në qendër të vëmendjes kryesisht për sigurinë e jetës, por problematika e parkingjeve qëndron ende e pazgjidhur. Ndërsa qytetarët ndeshen çdo ditë me këtë problem, propozohet si zgjidhje shtimi i parkimeve në rrugë pa pagesë, të garantuar për çdo rezident.
Ekspertët e shohin në një prizëm më afatgjatë. Ndryshimet në Kodin Rrugor kanë qenë të vazhdueshme gjatë viteve të fundit, por për ekspertin Sulçe në Kodin e kopjuar nga Italia në 1998, mbeten ende nene tashmë e kanë humbur funksionin, prandaj ndryshimet janë të nevojshme.
LEXO EDHE: Aksidentet rrugore dhe pasojat/ Shqipëria e 8-ta në botë për numrin e viktimave në rrugë